Lajme
Planifikohet leja e shtetësisë së dyfishtë në Gjermani
Qeveria gjermane planifikon të ulë pengesat për natyralizim
Duket se Gjermania është duke modernizuar ligjin e shtetësisë.
Në një prononcim për media, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Maximillian Kall, tha të premten në Berlin, në konferencën e rregullt të shtypit të qeverisë gjermane, se “projektligji është pothuajse gati”.
Shtetësi pas pesë vjetësh
Ndërsa deri tani, për të marrë pasaportën gjermane duhet të kesh jetuar së paku 8 vjet në Gjermani me dokumente të rregullta, me projektligjin e ri mund ta marrësh shtetësinë pas pesë vjetësh. Në disa raste të veçanta, të integrimit të mirë në shoqëri e punë, madje edhe pas tri vjetësh. Angazhimi vullnetar shpërblehet gjithashtu.
Shtetësi pa provim për më të moshuarit
Edhe për imigrantët e brezit të parë, mbi 67-vjeçarë, që jetojnë prej dekadash në Gjermani, por nuk e kalojnë lehtë testin e gjuhës, do të ketë lëshime. Për ta do të mjaftojë që “të jenë të aftë të kuptohen në gjermanisht”.
Poashtu edhe fëmijët e lindur në Gjermani mund të marrin automatikisht shtetësinë gjermane, nëse njëri prej prindërve jeton në mënyrë të rregullt prej pesë vitesh në Gjermani.
Përjashtimet nga shtetësia mbeten të njëjta
Shumë rregulla kanë mbetur të njëjta në projektligj: Nga natyralizimi do të përjashtohen persona që kanë kryer vepra penale, qoftë në Gjermani, qoftë në vendin e tyre, ose që kanë shfaqur në të kaluarën qëndrime antikushtetuese.
Gjithashtu do të jetë e vështirë për personat që nuk mund të provojnë identitetin e tyre, që kanë një leje qëndrimi të përkohshme ose që janë me Duldung.
Pak shanse kanë edhe ata që marrin përfitime sociale nga shteti. Përjashtime për këta ka vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Shtetësia e dyfishtë lejohet
Deri tani, për të marrë shtetësinë gjermane duhet të dorëzoje shtetësinë e vendit tënd. Ky rregull pritet të hiqet.
Sipas draftit, të cituar nga disa mediume, marrja e shtetësisë edhe në të ardhmen do t’u jepet vetëm personave që nuk kanë bërë vepra penale, as në vendin e tyre e as në vendin aktual. Dhe që nuk janë kundër kushtetutës.
Gjermania është vend imigrimi
Parimet kryesore për një ligj të reformuar të shtetësisë ishin vënë qysh në marrëveshjen e koalicionit mes Partisë socialdemokratëve, Të Gjelbrit dhe partisë liberale, në nëntor 2022.
Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, tha se “qeveria federale e sheh Gjermaninë si një vend të larmishëm imigrimi, si një shoqëri të larmishme imigrimi, dhe për këtë arsye po modernizon normat ligjore, veçanërisht në fushën e ligjit të shtetësisë.”
Opozita kritikon
Opozita gjermane konservatore e ka pritur me zemërim lajmin për projektligjin e ri.
Nënkryetarja e grupit parlamentar opozitar, CDU/CSU, Andrea Lindholz, tha për gazetën “Bild”, se mesa duket, “koalicioni synon ta nxjerrë pasaportën gjermane në tregun e vjeturinave”.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, u shpreh i indinjuar me planet e koalicionit të qendrës së majtë. Ai i quajti ato “të padiskutueshme”. Sipas tij, liberalizimi i ligjit të natyralizimit e ul motivimin e imigrantëve për integrim dhe shpërblen mungesën e vullnetit për t’u identifikuar qartë me Gjermaninë”.
Miratimi pritet të jetë i vështirë
Tema e shtetësisë ka qenë një nga temat më të ndjeshme për elektoratin partiak në Gjermani. Që tani projektligji ka shkaktuar shumë komente kritike në median sociale.
Por edhe gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e kritikoi projektligjin dhe e quajti “zhvlerësim të shtetësisë gjermane” dhe “mospërfillje të interesave gjermane”
Nuk përjashtohet mundësia, që pas miratimit nga kabineti qeveritar dhe Bundestagu, ai të bllokohet nga Landet në Bundesrat, ose të ketë nevojë për angazhimin e një komisioni ndërmjetësues, derisa të miratohet përfundimisht. Por për momentin, sipas burimeve qeveritare në Berlin, ai ka dalë nga ministritë dhe i është dorëzuar për shqyrtim kancelarisë.
E-Diaspora
-
Ndërmjet Washingtonit, Strasburgut dhe Zvicrës: LUGINAS po ndërton një model inovativ të organizimit për diasporën Intervistë e albinfo.ch me kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër... -
Bernë
Filmi “La Beauté de l’Âne” shfaqet në Bernë në kuadër të javës së Frankofonisë -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura
Jeta në Zvicër
-
Zvicra mund të përballet me mungesë energjie këtë dimër Zvicra rrezikon një mungesë të energjisë elektrike këtë dimër, sipas një studimi të ri të kompanisë... -
Dhuna në familje: Pse janë të rinjtë më të cenueshëm? -
Policia e St. Gallen lufton pedofilinë online – hapen 21 procedura penale -
Pse është kaq e vështirë të ndryshosh karrierë në Zvicër? -
Në Zvicër, një në pesë të moshuar heq dorë nga kujdesi mjekësor për arsye financiare













