Lajme
Sondazh: Shumica e evropianëve e shohin Rusinë si kundërshtar
Pas agresionit në Ukrainë, shumë evropianë tani e shohin Rusinë si një vend kundërshtar. Ky është përfundimi i një sondazhi me 16 mijë njerëz, në 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, evropianët duket të kenë një opinion më të favorshëm për Kinën.
Sipas sondazhit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, pothuajse dy të tretat e evropianëve tani e shohin Rusinë si një vend kundërshtar. Ky është dyfishi i numrit të vitit 2021.
Të anketuarit u pyetën gjithashtu për marrëdhëniet e ardhshme të Evropës me Moskën. Rreth gjysma e të anketuarve donin që marrëdhëniet të kufizoheshin – por me dallime.
“Ka vende si Polonia, ku ka një ndjenjë shumë të fortë për të ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Rusinë, edhe nëse arrihet një paqe e negociuar. Ndërsa ka vende si Bullgaria, Hungaria, apo Austria, si dhe Gjermania, ku ka një ndjenjë mjaft të fortë për t’i rivendosur të gjitha marrëdhëniet e bashkëpunimit me Rusinë pas përfundimit të luftës”, thotë Pawel Zerka me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Disa udhëheqës evropianë – veçanërisht presidenti francez Emmanuel Macron – kanë bërë thirrje që Evropa të krijojë një “autonomi strategjike” – aftësinë për të mbrojtur veten, në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.
Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve shprehen se Evropa nuk mund të mbështetet gjithmonë tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj.
“Këtë mund ta interpretosh sigurisht, si një shenjë se evropianët nuk po u besojnë amerikanëve aq shumë sa dikur. Dhe në këtë kuptim, ndoshta presidenca e Donald Trumpit ka lënë pasoja që po vazhdojnë në këtë marrëdhënie. Por mund të ketë një interpretim më dashamirës, sipas të cilit – thjesht për shkak të luftës në Ukrainë – evropianët janë më të gatshëm tani për të marrë përgjegjësinë për sigurinë e tyre” thotë Pawel Zerka.
Sondazhi shqyrtoi gjithashtu qëndrimet e evropianëve ndaj Kinës.
“Njerëzit ende priren ta shohin Kinën më shumë si partner të Evropës dhe jo si një vend rival, apo kundërshtar, edhe pse një shumicë e qartë në çdo vend që ne anketuam, e njeh Kinën si aleate të Rusisë”, thotë zoti Zerka.
Megjithatë, shumica e evropianëve e kundërshton idenë e pronësisë kineze mbi infrastrukturën kryesore.
Rreth 41 për qind e të anketuarve thanë se nëse Kina i jep armë Rusisë, BE-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Pekinit – edhe nëse kjo do të dëmtonte ekonomitë perëndimore./VOA
E-Diaspora
-
Pashkët, mesha në gjuhën shqipe bashkoi rreth 2000 besimtarë shqiptarë në Frauenfeld Në predikimin e tij, don Marjan Demaj theksoi rëndësinë e Ngjalljes së Krishtit si burim shprese... -
Ambasada e Shqipërisë në Bernë uron Pashkët -
Mes artit dhe jetës, mbrëmje përkujtimore për Nasuf Naski Abdixhikun -
Rexhep Rifati u shpall qytetar nderi i Horës së Arbëreshëve -
Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar
Jeta në Zvicër
-
Posta zvicerane synon të diversifikojë të ardhurat për të kompensuar humbjet Drejtori i Përgjithshëm i Postës Zvicerane, Pascal Grieder, dëshiron që degëzimi financiar i grupit, Postfinance, të... -
Reklamë e rreme në Booking.com: Familja nga Zvicra humb 5,000 franga -
Besim dhe kostume kombëtare, si u festuan Pashkët në Misionin e Luzernit -
Ushtria zvicerane hap dyert për ish-ushtarët për shkak të mungesës së personelit -
Gjeneva zhvendos qendrën e konsumimit të drogës në Montbrillant












