Të tjera
Protesta masive në Serbi kundër minierave të litiumit, policia largon protestuesit prej dy stacioneve hekurudhore
Rreth orës 5:30 të mëngjesit të së dielës, forcat policore të Serbisë i kanë larguar protestuesit që kanë bllokuar dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit, qysh prej mbrëmjes së 10 gushtit.
Ata i kanë bllokuar stacionet hekurudhore “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd”, pasi kanë mbajtur një protestë në qendër të kryeqytetit serb, kundër planeve për mihje të minierës së litiumit.
Një protestues i ka thënë agjencisë së lajmeve Beta se gjatë intervenimit, zyrtarët policorë kanë përdorur mburoja për t’i larguar protestuesit prej stacionit policor “Beograd qendër – Prokop”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “në përputhje me ligjet e Serbisë dhe fuqitë ligjore”, është rikthyer trafiku hekurudhor.
Mes tjerash, është bërë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezik të sigurisë së qytetarëve.
Në protestën e 10 gushtit, protestuesit fillimisht kanë nisur marshin në qendër dhe më pas janë nisur drejt urës Gazella.
Atje janë ndarë në dy grupe dhe janë nisur drejt stacioneve hekurudhore.
Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, prej kompanisë Rio Tinto.
Aktivisti dhe njëri prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviq, ka thënë më 10 gusht se bllokadat do të zgjasin derisa të miratohet kërkesa për një ligj që ndalon eksploatimin e borit dhe litiumit.
Sipas tij, bllokadat do të organizohen në tri deri në pesë pika të tjera, nëpër qytete të ndryshme në Serbi.
Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë thënë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.
Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës./REL
E-Diaspora
-
Dita e gjashtë e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin” Përveç analizave letrare, gjatë mbrëmjes u lexuan edhe fragmente të përzgjedhura nga veprat e autorëve... -
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj
Jeta në Zvicër
-
Ndryshimet klimatike e kanë bërë valën aktuale të të nxehtit deri në 4 gradë më të nxehtë Ekspertët paralajmërojnë se Evropa po i afrohet kufijve të përshtatjes ndaj temperaturave ekstreme... -
Si të mbroheni nga vala e të nxehtit në Zvicër -
Nisma për transport publik falas në Zvicër -
Bie numri i shpalljeve për banesa me qira në Zvicër -
Gjeneva dhe Bazeli, qytetet më të nxehta të Zvicrës











