Lajme
Nga heshtja në zjarr, tragjedia që tronditi shqiptarët në Zvicër
Komuniteti shqiptar në Zvicër është tronditur sot, pasi në Épagny, mëngjesin e sotëm ka ndodhur një tragjedi. I dyshuari, shqiptari me inicialet R.B. nga komuna e Malishevës, vrau dhe dogji bashkëshorten, e më pas edhe veten.
Në vendin e ngjarjes pati një ndërhyrje të madhe policore dhe të zjarrfikësve, në një zonë të qetë rezidenciale të këtij fshati të kantonit Fribourg. Rreth orës 9:15, dëgjoheshin sirena dhe zhurma të tensionuara.
Ndërsa policia kishte izoluar zonën, gazetarja e albinfo.ch nga vendi i ngjarjes vërejti ndërhyrjen e forcave speciale, të cilat hynë me forcë në shtëpi duke bërtitur “Duart lart!”, teksa flakët nisën të përhapeshin. Zjarrfikësit e Gruyères dhe Broc arritën ta vinin zjarrin nën kontroll rreth mesditës.
Sipas autoriteteve, dy trupa pa shenja jete u gjetën nën rrënojat e shtëpisë, bashkë me një armë të gjatë. Sipas informacioneve të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe nga burime të besueshme në komunitetin shqiptar, viktimat ishin një burrë dhe një grua me origjinë nga Kosova – konkretisht nga rajoni i Malishevës. Ai ishte 42 vjeç, ajo 38. Ata ishin të martuar dhe prindër të katër fëmijëve, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave jozyrtare, gruaja punonte si pastruese në atë shtëpi, ndërsa burri kishte qenë më parë i punësuar në një firmë lokale. Ai dyshohet se ka hyrë në shtëpi me një armë zjarri, ka qëlluar mbi bashkëshorten dhe më pas ka shkaktuar zjarrin, ku humbi jetën edhe vetë.
Burime nga komuniteti i informuan gazetarët se çifti kishte pasur marrëdhënie të tensionuara prej kohësh. Viktima thuhet ta kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje, dhe ai kishte qëndruar për rreth një muaj në paraburgim. Vetëm pak kohë pas lirimit të tij ka ndodhur kjo ngjarje tragjike.
Pamjet nga vendi i ngjarjes janë tronditëse: dritare të thyera, mure të nxira nga tymi, struktura e vilës pjesërisht e shkatërruar. Banorët vendas ishin ende të tronditur. Një prej tyre i tha gazetares sonë: “Nuk e kemi përjetuar kurrë diçka të tillë. Ishte si një film, por me fund tragjik, këtu pranë nesh.”
Policia kantonale ka konfirmuar se rrethanat janë ende objekt hetimi, ndërsa identifikimi zyrtar i viktimave vazhdon. Hetimi po udhëhiqet nga Zyra e Prokurorit Publik të Fribourgut.
Organizatat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje kanë reaguar duke theksuar se dhuna nuk duhet të injorohet asnjëherë dhe se ndihma duhet kërkuar menjëherë.
Albinfo.ch do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet nga ky rast dhe të informojë lexuesit në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Nga gazetarja e Albinfo.ch – Épagny, Fribourg, Zamira Bytyqi
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Njoftim i rëndësishëm nga Ambasada e Kosovës në Itali Hyn në fuqi marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë... -
Gjenvë
Gjeneva nën tingujt e Ramë Lahajt e Marigona Qerkezit -
Gjykata zvicerane dënon 57-vjeçarin nga Kosova për mashtrime milionëshe -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih -
Orë letrare në Cyrih për Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Spitali i Fëmijëve në Cyrih raporton rritje të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve Alarm për dhunën ndaj fëmijëve, rritje e rasteve në Cyrih... -
Ekipet zvicerane vizitojnë pacientët e trajtuar jashtë vendit pas tragjedisë në Crans-Montana -
Zvicra e pafuqishme ndaj shkeljeve të shpejtësisë nga vozitësit në tranzit -
Gjenvë
Gjeneva nën tingujt e Ramë Lahajt e Marigona Qerkezit -
Gjykata zvicerane dënon 57-vjeçarin nga Kosova për mashtrime milionëshe














