Lajme
Një në shtatë zviceranë thotë se ka humbur para në një mashtrim online
Sipas një sondazhi të publikuar nga SonntagsZeitung, një në shtatë të rritur në Zvicër ka qenë viktimë e mashtrimeve në internet. Një e treta e tyre kanë humbur më shumë se 1,000 franga.
Ky sondazh është realizuar nga Instituti Sotomo për llogari të siguruesit AXA gjatë periudhës shkurt-mars dhe përfshiu 1,706 persona. Sipas të dhënave, vetëm një e treta e viktimave të mashtrimeve kibernetike e kanë raportuar rastin në polici. Edhe nga ata që kanë humbur më shumë se 1,000 franga, vetëm 46% kanë bërë kallëzim.
Të rinjtë më të ekspozuar
Statistikat zyrtare tregojnë një rritje të ndjeshme të këtij lloj krimi. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar mbi 59,000 vepra penale të lidhura me internetin. Por, për shkak se shumë viktima nuk paraqesin kallëzim, numri real i mashtrimeve mund të jetë shumë më i lartë.
E habitshme është se të rinjtë rezultojnë të jenë më të prekur se të moshuarit. Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin që të rinjtë bëjnë më shumë blerje online dhe janë më të ekspozuar. Mashtrimet më të shpeshta ndodhin përmes “dyqaneve të rreme” në internet (38% e rasteve), të ndjekura nga “phishing” ose vjedhja e identitetit përmes email-eve (33%), transmeton albinfo.ch.
Një sfidë për shoqërinë
Më shumë se tre të katërtat e të anketuarve besojnë se kriminaliteti kibernetik përbën sfida serioze për shoqërinë. Ata janë veçanërisht të shqetësuar për sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës së ndjeshme (47%), mashtrimet në internet (44%), manipulimin e opinionit publik dhe profilet e rreme (44%).
Nga ana tjetër, më pak shqetësim shfaqet për varësinë teknologjike të vendit ndaj multinacionalëve të huaj (17%), ndikimin e teknologjisë në jetën shoqërore (18%) apo në shëndetin mendor (16%).
Shumica dërrmuese kërkon ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç
Rreth 80% e zviceranëve mbështesin ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç, sipas pjesës tjetër të sondazhit nga Instituti Sotomo. Një e treta e prindërve thonë se nuk janë në gjendje të mbrojnë fëmijët nga rreziqet online.
Ka gjithashtu kërkesa për më shumë mbrojtje dhe kufizime për fëmijët. Gati katër nga pesë të anketuar mendojnë se telefonat celularë duhet të ndalohen në shkolla, ndërsa 85% e tyre besojnë se fëmijët nuk janë mjaftueshëm të informuar për rreziqet në internet.
Australia është vendi i parë që ndaloi qasjen e fëmijëve nën 16 vjeç në platforma si TikTok dhe Instagram. Një propozim i ngjashëm është paraqitur së fundmi edhe nga kryeministri i Zelandës së Re.
Në Zvicër, dy postulate të fundit i kanë kërkuar Këshillit Federal të shqyrtojë mundësinë e kufizimit të aksesit të të rinjve në rrjetet sociale. Gjithashtu, po diskutohet edhe një ndalim i mundshëm i përdorimit të telefonave inteligjentë në shkolla.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
Katër të rinj nga Friburgu humbën jetën në një aksident rrugor në Francë Katër të rinj nga Fribourg, të moshës 16 deri në 18 vjeç, humbën jetën të premten... -
Mungesë banesash: Një apartament 60-vjeçar ofrohet për 18 milionë franga -
Cyrih: Shoferi kosovar arrestohet pasi theu kontrollin e policisë -
Cilat kompani zvicerane të sigurimeve shëndetësore do të jenë më të lira në vitin 2026? -
Çfarë ndryshimesh në imigracion i presin të huajt në Zvicër në vitin 2026 dhe më tej?












