Futboll
Zvicër, Euro 2025 për femra: Zero tolerancë ndaj diskriminimit
Mes shumë veçantive, në Kampionatin Europian të futbollit për femra që zhvillohet në Zvicër, organizatorët kanë edhe një fokus të veçantë për të drejtat e njeriut, përcjell albinfo.ch.
Në këtë aspekt ata përfitojnë nga përvoja me Euro 2024 për meshkuj në Gjermani.
“Ne në Gjermani kemi dhënë një impuls të rëndësishëm që po zhvillohet edhe më tej”, thotë Sylvia Schenk nga Transparency International në Gjermani.
Juristja dhe ish-atletja ka qenë gjatë Kampionatit Europian të Futbollit për meshkuj më 2024 bashkë me përfaqësues dhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare në këshillin për të drejtat e njeriut të UEFA-s. Ky forum është kujdesur gjatë kampionatit për ankesat lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.
UEFA, Federata Gjermane e Futbollit, qeveria gjermane dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse, si dhe dhjetë qytetet ku u zhvilluan ndeshjet, u angazhuan që gjatë Kampionatit Europian të ishte në plan të parë demokracia, respekti, barazia dhe zhvillimi e mbrojtja e të drejtave të njeriut. “Ky ishte vetëm një fillim”, konkludon Schenk në bisedë për DW. “Por ishte e rëndësishme. Ne prej vitesh kemi luftuar për këtë.”
EURO 2024 si model për EURO 2025
Angazhimi gjatë kampionatit të meshkujve do të shërbejë si model për Kampionatin Europian të Futbollit për gra, që zhvillohet nga 2 deri më 27 korrik në Zvicër. Edhe qeveria zvicerane, si dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse në kampionat dhe institucionet e shoqatat e ndryshme, në mars të kaluar (2024) nënshkruan një deklaratë ku shprehen për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht për “diversitetin, barazinë dhe inkluzionin në dhe përmes sportit”, sikurse u shpreh ministrja zvicerane e Sportit Viola Amherd.
Edhe për kampionatin për gra është krijuar një këshill i të drejtave të njeriut nga organizatat joqeveritare me seli si Centre for Sport and Human Rights.
Personat përgjegjës i janë drejtuar këshillit sa herë që është vlerësuar se janë në rrezik të drejtat e njeriut gjatë Kampionatit Europian, thotë Lisa Salza, përgjegjëse për të drejtat e njeriut pranë Amnesty zvicerane. “Edhe pse disa masa nuk janë aq voluminoze sa do të dëshironim, kjo nismë është hapi i duhur në drejtimin e duhur”, thotë Salza për DW. “Është e rëndësishme që gjatë këtij kampionati të respektohen rregullat e sjelljes në stadium, si dhe në pikat nevralgjike të tifozëve, sikurse janë stacionet e trenit. Zero tolerancë për diskriminim, racizëm dhe dhunë seksuale.”
Kush ndihet i kërcënuar ose i diskriminuar në stadium mund të skanojë një kod QR, i cili është i dukshëm qartë në pllakata. Pastaj tifozi ose tifozja e prekur merr menjëherë ndihmë nga ekipet e ashtuquajtura “Awareness-Teams”.
Ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut mund të bëhen edhe përmes aplikacionit të kampionatit ose të UEFA-s. Një instancë e pavarur juridike i vlerëson ankesat dhe i përcjell ato më tej, nëse e sheh të nevojshme, tek organet përgjegjëse.
Gjatë kampionatit për meshkuj më 2024 ka qenë përgjegjëse një zyrë avokatie në Frankfurt. Ajo ka shqyrtuar gati 400 ankesa. Shumica e rasteve kishin të bënin me qëndrime politike, deklarata nacionaliste, gjeste ose simbole të përdorura nga tifozeria. Vetëm pak raste janë kallëzuar për ngacmime seksuale dhe diskriminim racor.
UEFA: “META, X dhe TikTok vazhdojnë të bashkëpunojnë me ne”
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe lufta kundër cybermobbing. Gjatë Euro 2024 në Gjermani janë mbikëqyrur rreth 700 llogari në rrjetet sociale të lojtarëve, trajnerëve dhe arbitrave. Sipas UEFA-s, vetëm në fazën e ndeshjeve në grupe janë evidentuar 666 postime me përmbajtje ofenduese. Në tre nga katër raste, postimet ishin drejtuar kundër lojtarëve, në mbi 90 për qind të rasteve në formën e gjuhës së urrejtjes.
E-Diaspora
-
KQZ miraton listën e Qendrave të Votimit në përfaqësitë diplomatike Votimi fizik më 6 qershor do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me 70 vendvotime, ndërsa... -
“Ta thyejmë heshtjen” – në Gjenevë mbahet një mbrëmje diskutimi për dhunën në familje -
ADN-ja shqiptare në mërgatë: një festë identiteti, kujtese dhe përgjegjësie kombëtare -
Të rinjtë shqiptarë nga Gjeneva, Prizreni dhe Kruja sjellin traditën në një skenë të përbashkët -
Cyrih: Promovohet libri “Arti konceptual në Kosovë, 2000 – 2025”
Jeta në Zvicër
-
Novartis planifikon mbylljen e fabrikës në Wehr, preken 220 vende pune Kompania farmaceutike me seli në Bazel, Novartis, ka njoftuar se do të mbyllë deri në fund... -
Zvicra përballet me rritje të inflacionit në prill, të shtyra nga karburantet dhe qiratë -
Skandal në Klinikën e Zemrës në Cyrih: Ish shefi, shkaktar i vdekjes së mbi 70 pacientëve -
Graubünden shqyrton ndalimin e trafikut turistik në rrugët kantonale -
Vëllezërit shqiptarë Agron dhe Driton Knepper prezantojnë startup-in “Azygos” në Talent Pitch Switzerland në Cyrih














