Futboll
Shaqiri: Nuk pendohem që jam tërheque nga Zvicra, nuk më mungon
Xherdan Shaqiri: Tërheqja nga Zvicra ishte vendimi i duhur
Fitues i Ligës së Kampionëve, legjendë e kombëtares zvicerane dhe hero i Baselit – megjithatë, mbi të gjitha, Xherdan Shaqiri mbetet një njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me rrënjët dhe familjen e tij. Pas 12 vitesh jashtë vendit, ai është rikthyer në qytetin e lindjes, Basel, ku karriera e tij mori jetë dhe ku, siç thotë vetë, “zemra rreh më fort”, transmeton albinfo.ch.
Kthimi në qytetin e ëndrrave
Në gusht të vitit 2024, Shaqiri nënshkroi me klubin e fëmijërisë FC Basel, duke e rikthyer entuziazmin në qytet. Euforia ishte e jashtëzakonshme – dhe me të drejtë: në sezonin e parë pas rikthimit, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë pas tetë vjetësh dhe më pas drejt Kupës së Zvicrës.
“Ishte një ëndërr e madhe për mua të fitoja përsëri trofe me FCB,” thotë ai. “Fakti që ndodhi që në vitin e parë e bën gjithçka edhe më të bukur.”
Shaqiri e pranoi se refuzoi oferta të majme nga klubet e Lindjes së Mesme. “Nuk doja të shkoja në Arabinë Saudite dhe ta shijoj jetën thjesht si luks. Desha të bëja një kthim të sinqertë, aty ku filloi gjithçka,” thekson ai.
Një yll me shpirt modest
Në Basel, Shaqiri është më shumë se një futbollist. Një figurë publike që nuk kalon pa u vënë re, por që mbetet i afrueshëm me të gjithë.
Në Munsterplatz, një djalë i vogël me fanellën e Baselit i afrohet me hezitim. “A mund të bëjmë një foto?”, pyet ai. Shaqiri buzëqesh dhe përgjigjet: “Po, por shpejt, të lutem.”
Më pas ngrihet, i vë dorën në shpatull dhe bën fotografinë – një skenë e zakonshme për kapitenin 169 centimetra të gjatë, i njohur për modestinë dhe energjinë e tij të pashtershme.
“Në fakt, nuk them kurrë ‘jo’ kur dikush kërkon një foto,” rrëfen ai me të qeshur. “Vetëm ndonjëherë është e papërshtatshme – si kur je në darkë ose, më keq akoma, në tualet,” shton me humor.
Një jetë mes lavdisë dhe thjeshtësisë
Nga Liverpool te Bayern Munich, Shaqiri ka prekur majat e futbollit europian, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve – një arritje që pak futbollistë zviceranë mund ta pretendojnë.
Megjithatë, në shtëpi në Kaiseraugst, ai nuk është ylli i fushave, por “Xherdi” – djali i prindërve Fatime dhe Isen Shaqiri, me të cilët jeton në të njëjtin pallat.
“I shoh pothuajse çdo ditë,” thotë ai. “Që nga kontrata ime e parë, dëshira ime më e madhe ka qenë që ata të mos kenë më nevojë të punojnë. Çdo gjë pas asaj, ishte thjesht ëmbëlsirë.”
Në shtëpinë e prindërve, trofetë, fanellat dhe medaljet janë të ekspozuara si në një muze personal. “Sa herë që vijnë miq, nuk e besojnë sa shumë kujtime janë aty,” tregon Shaqiri me krenari.
Nga fëmijëria në varfëri te mësimet e jetës
I lindur në vitin 1991 në Kosovë, Shaqiri erdhi në Zvicër me familjen si fëmijë. U rrit në kushte modeste në një fermë të vjetër në Augst, ku mësoi vlerat që e kanë udhëhequr deri sot: respektin, mirënjohjen dhe punën e ndershme.
“Mendoj se është e rëndësishme të njohësh të dyja anët e jetës – kur ke pak dhe kur ke shumë,” thotë ai me sinqeritet.
Pas karrierës: përkushtim ndaj familjes dhe të ardhmes
Në korrik 2024, Shaqiri vendosi të tërhiqet nga ekipi kombëtar i Zvicrës, pas më shumë se një dekade në majat e futbollit ndërkombëtar.
“Nuk më mungon për momentin,” pranon ai. “Mendoj se u ndala në kohën e duhur. Kisha nevojë për më shumë qetësi, larg vëmendjes së tepruar të mediave.”
Megjithatë, ai nuk përjashton një rikthim: “Kurrë mos thuaj kurrë,” thotë duke buzëqeshur.
Sot, përveç futbollit, Shaqiri është aksionar në FC Rapperswil-Jona, po ndjek licencën e trajnerit dhe planifikon ndërtimin e shtëpisë së tij në Rheinfelden.
Në plan personal, dëshiron të krijojë një familje. “Është një qëllim i madh për mua,” pranon ai. “Por çdo gjë ka kohën e vet.”
Ndërsa trageti i Munsterit e çon drejt bregut tjetër të Rajnit, fëmijët e thërrasin emrin e tij dhe turistët i kërkojnë fotografi. Ai buzëqesh, përshëndet dhe vazhdon rrugën.
Në Basel, ai nuk është më thjesht futbollist. Ai është Xherdan Shaqiri – legjenda që kthehet në shtëpi si biri i qytetit.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave











