CH-Ballkani

Dështon miratimi i Gjykatës Speciale

Për themelimin e Gjykatës Speciale kanë votuar 75 deputetë, 7 janë deklaruar kundër, kurse dy deputetë kanë abstenuar. Për themelimin e Gjykatës duheshin 2/3 e deputetëve

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të premten që t’i miratojë amendamentet kushtuese të propozuara nga Qeveria, për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës. Për themelimin e kësaj gjykate kanë votuar 75 deputetë, 7 janë deklaruar kundër, kurse dy deputetë kanë abstenuar.

Në këtë votim nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Opozita u deklarua kundër, prandaj edhe bojkotoi votimin, ndërsa kundër speciales votuan edhe disa deputetë që kanë qenë ish guerilë të UÇK-së.

Për kalimin e këtyre amendamenteve duheshin dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, 80 nga 120 sa i ka Parlamenti i Kosovës. Në këtë rast janë kërkuar edhe dy të tretat e votave të pakicave, që në këtë rast nuk kanë qenë problem, pasi që minoritetet kanë qenë pro Gjykatës Speciale.

Deri të votimi është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet dy palëve, ndërsa debati më i nxehtë është zhvilluar ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Njëri-tjetrin e quajtën të dështuar dhe antikombëtar.