Lajme
OBSH: Alkooli shkakton mijëra raste kanceri në Evropë
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se alkooli është një nga shkaktarët kryesorë të kancerit në Evropë.
Ekspertët theksojnë se politikat më të ashpra qeveritare për kufizimin e konsumit të alkoolit mund të parandalojnë mijëra raste dhe vdekje çdo vit, sipas raportimit të EuroNews.
Vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, alkooli shkaktoi 111,000 raste të reja kanceri në vitin 2020, sipas një studimi të Agency for Research on Cancer, pjesë e OBSH-së. Në mbarë botën, rreth 741,000 raste të kancerit në vitin 2020 lidhen me konsumimin e alkoolit, dhe 70% e këtyre rasteve ndodhin te burrat.
Përveç ndikimit mbi shëndetin, alkooli ka edhe kosto të konsiderueshme ekonomike. OBSH vlerëson se trajtimi i kancereve të lidhura me alkoolin kushtoi Evropës rreth 4.58 miliardë euro në vitin 2018. Doktori Gundo Weiler, drejtues i sektorit për parandalimin dhe promovimin e shëndetit në zyrën evropiane të OBSH-së, tha se:
“Rajoni Evropian, veçanërisht vendet e BE-së, po paguajnë një çmim të lartë për alkoolin, përmes kancereve të parandalueshme, familjeve të prekura dhe shpenzimeve miliardëshe për taksapaguesit.”
Ai shtoi se, edhe pse disa e konsiderojnë alkoolin si “trashëgimi kulturore”, pasojat shëndetësore dhe sociale nuk duhet të normalizohen.
Si shkakton alkooli kancerin?
Që nga viti 1988, IARC e ka klasifikuar alkoolin si substancë kancerogjene. Ai rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje kanceri, duke përfshirë kancerin e gojës, fytit, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë dhe të gjirit te gratë.
Ekspertët shpjegojnë se alkooli mund të shkaktojë kancer duke ndryshuar nivelet hormonale, duke dëmtuar ADN-në dhe duke ndryshuar mikrobiomën e zorrëve. Zvogëlimi ose ndalimi i konsumit të alkoolit redukton ndjeshëm rrezikun.
Raporti i IARC nënvizon se shumica e rasteve të kancerit lidhen me konsum të “rrezikshëm” (2-6 pije në ditë) ose të “lartë” (më shumë se 6 pije në ditë), por edhe konsumi “moderat” (më pak se 2 pije në ditë) shkaktoi mbi 100,000 raste të reja në vitin 2020.
Si mund të ulet rreziku?
Ky është raporti i parë që shqyrton se sa mund të ndikojë parandalimi në uljen e rasteve të kancerit të shkaktuar nga alkooli. Drejtoresha e IARC, Elisabete Weiderpass, theksoi:
“Politikat që kufizojnë konsumimin e alkoolit në popullatë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e rrezikut nga kanceri.”
Agjencia rekomandon masa të qarta, si rritja e taksave, çmimet minimale, rritja e moshës ligjore për blerje, kufizimi i orarit të shitjes, ndalimi i reklamimit dhe kontrolli shtetëror i shitjeve. Një studim i vitit 2021 tregoi se dyfishimi i taksave mund të kishte parandaluar 6% të rasteve të reja me kancer dhe vdekjeve të lidhura me alkoolin në rajonin evropian në vitin 2019.
Doktoresha Béatrice Lauby-Secretan, zëvendësshefe e degës për analizë të provave shkencore në IARC, shtoi se vetëdijesimi mbi rreziqet e alkoolit është kyç dhe çdo individ mund të ndikojë në ndryshimin e normave kulturore mbi konsumimin e tij.
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre












