Lajme

Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare

Pjesëmarrje e gjerë dhe fokus i qartë te të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirja në aktivitetin solemn kushtuar promovimit të drejtësisë sociale, mbrojtjes nga diskriminimi

Me rastin e 10 Dhjetorit Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Shoqata “Parandalo”, në partneritet me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, organizoi një aktivitet solemn kushtuar promovimit të drejtësisë sociale, mbrojtjes nga diskriminimi dhe ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë te personat me aftësi të kufizuara dhe ata me prejardhje migrimi.

Aktiviteti u zhvillua në një sallë të përplotë, duke mbledhur një numër të madh pjesëmarrësish dhe duke reflektuar interesimin dhe vëmendjen e shtuar të komunitetit për çështjet e barazisë, qasshmërisë dhe të drejtave të njeriut, si dëshmi e ndjeshmërisë dhe angazhimit qytetar në rritje ndaj këtyre temave thelbësore.

Në kuadër të aktivitetit u rikujtua rëndësia historike e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si reagim ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky dokument themelor, i përbërë nga 30 nene, përcakton të drejtat dhe liritë bazë që i takojnë çdo njeriu, pa dallim gjinie, prejardhjeje, feje, statusi shoqëror apo aftësie të kufizuar, duke mbetur referencë universale e dinjitetit njerëzor.

Programi vijoi me fjalimet institucionale. Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, theksoi se respektimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut nuk përbën vetëm një vlerë morale, por një detyrim ligjor dhe institucional. Ai nënvizoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton zbatimin e drejtpërdrejtë të instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kanë përparësi ndaj legjislacionit vendor. Si shembull të angazhimit konkret institucional, Berisha përmendi inaugurimin e ashensorit për personat me aftësi të kufizuara në Konsullatë, duke e cilësuar atë si simbol të qasshmërisë, barazisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

Në vijim, fjalën e mori Islam Alijaj, deputet në Parlamentin Federal të Konfederatës së Zvicrës, i cili theksoi se të drejtat e njeriut përbëjnë një arritje themelore që garanton bashkëjetesë në barazi dhe respekt të ndërsjellë. Ai nënvizoi rolin historik të Zvicrës si shtyllë e rëndësishme e arkitekturës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përmendur Gjenevën si seli të OKB-së dhe lidhjen e veçantë të këtij angazhimi me Kosovën. Duke folur si deputeti i parë me rrënjë kosovare në Parlamentin Federal të Zvicrës, Alijaj theksoi rëndësinë e përfaqësimit dhe barazisë, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara, si dëshmi se ata janë të barabartë dhe të vlefshëm në shoqëri. Ai vlerësoi angazhimin e Valdete Hotit në këtë drejtim dhe e cilësoi si hap të rëndësishëm inaugurimin e qasjes së plotë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, duke theksuar se ky veprim konkret pasqyron përkushtimin për barazi dhe të drejta të barabarta, si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.

Në fjalën e saj të zgjeruar, Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës “Parandalo”, theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e personave me aftësi të kufizuara nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër deklarativ, por duhet të përkthehet në politika konkrete, masa të zbatueshme dhe ndryshime reale në përditshmëri. Ajo vuri në dukje se, edhe pse Zvicra ka një kornizë të avancuar ligjore dhe infrastrukturë të zhvilluar për qasshmëri, në praktikë vazhdojnë të ekzistojnë barriera serioze, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara me prejardhje migrimi, të cilët përballen me diskriminim të shumëfishtë.

Sipas Hotit, këto grupe shpesh mbeten të padëgjuara edhe nga struktura dhe organizata që në parim angazhohen për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, duke mos i përfshirë si zë aktiv në proceset vendimmarrëse. Ajo theksoi se barazia reale kërkon vullnet të qartë politik, reforma strukturore dhe angazhim të koordinuar të gjithë shoqërisë, nga institucionet shtetërore te sektori shëndetësor, social dhe ekonomik, me arsimin si bazë themelore të çdo ndryshimi afatgjatë. Në përmbyllje të fjalës së saj, Hoti rikujtoi edhe përgjegjësinë individuale qytetare, duke cituar thënien e njohur të John F. Kennedy-t: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë shteti për ty, por pyet veten se çfarë mund të bësh ti për shtetin.”

Një dimension thelbësor të demokracisë zvicerane solli në vëmendje Orhan Spahiu, Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, jurist dhe anëtar i Shoqatës “Parandalo”. Ai theksoi se komuniteti shqiptar në Zvicër përbën një numër të konsiderueshëm qytetarësh me të drejtë vote, por se kjo e drejtë shpesh mbetet e pashfrytëzuar. Duke iu referuar Preambulës së Kushtetutës Federale të Zvicrës, Spahiu nënvizoi se vetëm ata që e përdorin lirinë e tyre janë realisht të lirë dhe se forca e një populli matet me mirëqenien e anëtarëve më të dobët. Ai ndau përvojën e tij profesionale, duke folur për shkeljet e përditshme të të drejtave të njeriut në fushën e migracionit, pabarazinë gjinore, dhunën në familje dhe mungesën e qasjes për personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se mosdalja në votim përkthehet në mungesë zëri dhe ndikimi. Sipas tij, përdorimi i së drejtës së votës është detyrim moral dhe shoqëror, veçanërisht në një sistem të demokracisë së drejtpërdrejtë si ai zviceran.

Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe ndarja e mirënjohjeve, si shprehje e vlerësimit për kontributin konkret në avancimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjes shoqërore. Nga Shoqata “Parandalo”, mirënjohjet u ndanë nga themeluesi i saj, z. Xhemal Selimi, për individë dhe institucione që kanë dëshmuar angazhim të vazhdueshëm dhe mbështetje të qëndrueshme ndaj misionit të shoqatës.

 

 

Mirënjohje iu ndanë Islam Alijajt; Ekrem dhe Shqiponje Hasanit (Spitex Melina’s Medical Care GmbH); Xheneta Zuzaku dhe Yllka Zuzaku-Mustafa (Spitex Diversity); Guxim Ramizit; si dhe Burim Ajrulit, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë a-ritex. Mirënjohje u ndanë edhe nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kontributit qytetar.

Aktiviteti u përmbyll me një koktej rasti. Programi u moderua nga Ramadan Morina, ndërsa mbrëmja u pasurua me interpretimin artistik të Flutra Bytyqit, duke i dhënë ngjarjes një dimension reflektues dhe solemn.

Ngjarja në Cyrih përcolli një mesazh të qartë: të drejtat e njeriut nuk mjaftojnë të njihen dhe të sanksionohen në dokumente, por duhet të jetohen dhe të mbrohen përmes veprimit konkret, pjesëmarrjes aktive qytetare dhe përgjegjësisë kolektive, në mënyrë që barazia, qasshmëria dhe dinjiteti të jenë reale për të gjithë.