Kosova
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të ndryshme, me qëllim që t’ua lehtësojë votimin qytetarëve të Kosovës të regjistruar për votim me postë nga jashtë vendit, shkruan albinfo.ch.
Sipas KQZ-së, dërgimi i pakove me fletëvotime ka nisur tashmë, ndërsa nga Aeroporti i Shkupit ato janë përcjellë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë dhe disa vendeve evropiane. Zëdhënësi i institucionit, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi po zhvillohet sipas afateve të parapara.
Fletëvotimet për votuesit që jetojnë në Evropë pritet të mbërrijnë mes 16 dhe 18 dhjetorit, ndërsa për ata jashtë kontinentit evropian mes 17 dhe 19 dhjetorit. Sipas rregullave, pakot dorëzohen në adresën e votuesit dhe pranohen vetëm nga vetë ai ose nga anëtarë të ngushtë të familjes, me nënshkrim.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, rreth 58 mijë qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës. Fletëvotimet janë shtypur në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor, përpara se të përgatiten pakot individuale për secilin votues.
KQZ bën të ditur se kostoja e këtij procesi arrin në rreth 1.7 milion euro, që përfshin dërgimin e fletëvotimeve, kthimin e tyre nga diaspora dhe transportin në Kosovë për numërim në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.
Çdo dërgesë është e pajisur me numër gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve të regjistruar për të ndjekur në çdo moment rrugëtimin e pakos.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor, datë kjo kur zhvillohet edhe votimi fizik në misionet diplomatike. KQZ u bën thirrje votuesve që t’i dërgojnë fletëvotimet sa më herët, në mënyrë që ato të mbërrijnë me kohë për procesin e numërimit.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për votim përmes postës: kqz-ks.org
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Diaspora i siguron VV-së mandatin e 53-të, LDK humb një deputet Me 96.32% të vendvotimeve të procesuara (2,752 nga 2,857), rezultatet e fundit zgjedhore në Kosovë konfirmojnë... -
“She Leads 2026” bëri bashkë bizneset shqiptare nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia e Veriut -
Në Cyrih protestohet për të mbrojtur Zvërnecin në Shqipëri -
Greqi
Ky shtet evropian godet rrjetin e vjedhjes së makinave, 11 shqiptarë përfundojnë në pranga -
Votat e mërgatës nxjerrin në pah favoritët dhe më pak të votuarit e partive
Jeta në Zvicër
-
SBB tregon në aplikacion trenat pa klimë gjatë verës Gjatë muajve të verës, aplikacioni dhe faqja zyrtare e hekurudhave federale zvicerane SBB tregojnë se cilët... -
Zvicër: Debat për heqjen e lehtësimit tatimor për hotelet -
Marrëveshja SHBA-Iran do të nënshkruhet në resortin luksoz zviceran -
Pas Bazelit, edhe Cyrihu po shqyrton zbritjen e tatimeve direkt nga paga -
Valë e të nxehtit po afrohet drejt Zvicrës, temperaturat mund të arrijnë deri në 38°C










