Kosova
Sa kanë ndikim paratë nga diaspora në ekonominë e Kosovës
Paratë e diasporës dërguar familjarëve të tyre në Kosovë mbeten një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë në vend
Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit: rritje, ulje, stagnim dhe kriza.
Edhe pse të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës tregojnë se ka rritje të disa indikatorëve ekonomikë, në terren vazhdojnë ankesat e qytetarëve për përkeqësim të standardit të jetesës, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Viti 2025 është mbyllur me rritje ekonomike prej 3.9 për qind dhe parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë që, këtë vit, kjo shifër të arrijë në 4.1 për qind.
Rritja sipas BQK-së do të mbështetet te konsumi privat, rimëkëmbja graduale e eksportit dhe zbutja e inflacionit.
Por, në vitet e fundit – sidomos pas pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe nisjes të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022 – shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve esenciale ishin ndër temat më të përfolur në Kosovë.
Qytetarët shpesh janë ankuar se inflacioni ka ulur fuqinë e tyre blerëse, duke i detyruar shumë prej tyre të heqin dorë nga produkte dhe shërbime, pasi që pagat nuk mjaftojnë për të përballuar të gjitha shpenzimet e nevojshme.
Ndërkohë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës kanë theksuar se inflacioni vjen për shkak të varësisë së vazhdueshme të shtetit nga importi i produkteve të huaja.
Me qëllim zbutjen e inflacionit, Qeveria e Kosovës ka rritur pagat në sektorin publik. Ndërkaq, sektorin privat ka tentuar ta ndihmojë me platformën “Superpuna”, e cila ka nisur në vitin 2023.
Përmes kësaj platforme, Qeveria subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muajt e parë, në vlerë të pagës minimale prej 350 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.
Por, kjo rritje e pagave, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk është përkthyer në përmirësimin e standardit të jetesës se qytetarëve për shkak të inflacionit të lartë.
Në vitin 2025 numri i të punësuarve ka kaluar mbi 400 mijë, duke vazhduar kështu trendin e rritjes së numrit të punësuar me kontratë formale.
Ndërkaq, në mesin e personave të papunë ka më së shumti gra, të cilat mbajnë barrën më të madhe për kujdesin ndaj familjes dhe fëmijëve.
Numri i vogël i çerdheve, sidomos në zonat rurale, vlerësohet si një ndër faktorët që ka pamundësuar që gratë të futen në tregun e punës.
Një çështje nga e cila vuan ekonomia e Kosovës, sipas ekspertëve të fushës, është sasia e lartë e produkteve të importuara nga tregjet e huaja.
Me gjithë mbështetjen e prodhuesve kosovarë, ende nuk është arritur të ndryshohet deficiti tregtar për shkak të kapaciteteve të kufizuara prodhuese.
Vlera e importit tashmë ka arritur në gjashtë miliardë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që kanë dalë në tregjet e jashtme është më pak se një miliard euro.
Investimet e huaja në Kosovë konsiderohen shtytës i zhvillimit ekonomik. Megjithëse, viteve të fundit ka rritje të investimeve të huaja direkte sipas shifrave zyrtare, por kjo gjithmonë ka nxitur diskutime se shumica vijnë nga diaspora që investon në patundshmëri.
Si pengesë për investitorët e huaj në Kosovë janë përmendur më parë procedurat e shumta burokratike, ndërkohë që në vitet e fundit është rritur vlera e investimeve nga Kosova jashtë vendit.
Paratë e diasporës dërguar familjarëve të tyre në Kosovë mbeten një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë në vend.
Remitencat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, duke zvogëluar varfërinë dhe rritur konsumimin.
Por, jo gjithmonë është lavdëruar mënyra e shfrytëzimit të këtyre mjeteve, pasi që është kërkuar ndërrimi i fokusit. Sipas ekspertëve, investimi në projekte kapitale do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Sfida kryesore mbetet përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie reale, përmes rritjes së prodhimit vendor, pagave të qëndrueshme, uljes së varësisë nga importi dhe krijimit të një klime më të favorshme për investime afatgjata.
E-Diaspora
-
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër Zarfet e votimit pritet të mbërrijnë mes 20 dhe 27 majit, ndërsa qytetarët u këshilluan që... -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen” -
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm -
Suedi
Suedi promovohet libri “Shqipëria, Orienti i Europës” i Sven Aurén -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Zvicër: Hapet ekspozita e artistes shqiptare Dorina Ukgjini Zvicër: Hapet ekspozita “Kunst in Spreitenbach”, prezantohet edhe artistja shqiptare Dorina Ukgjini... -
Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicra, arrin në 413 mijë -
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih -
Sukses i madh për Riola Xhemailin: Kampione e Holandës me PSV Eindhoven -
Burgdorf: Vdes një person i goditur nga treni, policia arreston disa të dyshuar











