Kosova
Në nderim të kujtesës historike për gjenocidin serb në Kosovë
Kujtimi i gjenocidit nuk është ftesë për hakmarrje por para së gjithash një veprim i domosdoshëm për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme
15 Janari, dita e përkujtimit të viktimave të gjenocidit serb në Kosovë, viteve të fundit po shënohet në mënyrë meritore edhe në Zvicër, ku është selia e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”.
Kështu ishte edhe pasditen e 18 janarit në tubimin e organizuar për nder të kësaj dite, në Cyrih, në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish, nga Zvicra por edhe nga Gjermania, Franca, Italia etj.
Rëndësinë e organizimit e tregonte edhe prania e përfaqësuesve të institucioneve, gjegjësisht përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Zvicër si dhe e një numri të madh subjektesh të komunitetit shqiptar në Zvicër e më gjerë.
Me këtë rast u kujtuan me pietet dhjetëra mijë viktimat e gjenocidit të shtetit serb mbi shqiptarët dhe u bë thirrje që të mos harrohen ato. Kujtimi i gjenocidit nuk është ftesë për hakmarrje por para së gjithash një veprim i domosdoshëm për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, u tha disa herë gjatë këtij tubimi.
Pas intonimit të himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Republikës së Kosovës, kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti u paraqit me një fjalë spontane ku u fokusua më tepër në rëndësinë e dokumentimit të gjenocidit serb mbi shqiptarët. Ai përkujtoi punën që po bën në këtë drejtim “Qendra…” dhe vuri theksin në nevojën që kjo punë të mbështetet nga të gjithë, në radhë të parë nga institucionet.
Kryetari i i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” më tutje foli për zhvillimet historike që kanë sjellë te përkufizimi i termit “Gjenocid”, i cili përkon plotësisht me përshkrimin e krimeve të ushtruara mbi shqiptrët, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.
Z. Mahmuti u ndal në mënyrë të veçantë në synimin për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar mbi këtë plagë përmes dokumentimit, gjegjësisht publikimit të librave në gjuhët botërore që do ta bënin këtë më së miri. Ai në këtë kuptim, ka përmendur disa nga organizimet e mërgatës shqiptare në Francë, Itali e gjetiu për përkthimin e veprave të shkruara për të arritur këtë sensibilizim.
Me një fjalë të përshkuar me emocione, publikut i është drejtuar mysafiri i nderit, kryetari i Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, z. Rozario Peta, me bashkëshorten e znj. Xhuzepina Mandala. Z. Peta ka folur për mbijetesën tashmë mbi pesëshekullore të gjuhës dhe shpirtit të arbëreshëve, mbi solidarizimin e plotë të tyre me kauzën e shqiptarëve dhe atë të Kosovës ndër dekada. Ai ka përkujtuar edhe rolin e madh që ka luajtur Don Antonio Bellushi i ndjerë në krijimin dhe kultivimin e lidhjeve në mes të arbëreshëve dhe atdheut të tyre matanë detit…
Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër ka përshëndetur zëvendësambasadorja, znj. Shukrije Ramadani, e cila në fjalën e saj ka përgëzuar Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” për punën me vlerë që po bën drejt ruajtjes së kujtesës historike mbi krimet e ushztruara mbi shqiptarët ne luftën e fundit.
Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Valon Gashi po ashtu ka vlerësuar lartë organizimin e tubimit përkujtimor për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Andin Hoti, në cilësinë kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur me Forcë në fjalën e tij ka folur për punën e këtij komisioni drejt zbardhjes së fatit të viktimave të luftës gjegjësisht për pengesat në të cilat po hasë nga obstruksionet e Serbisë, e cila edhe pas luftës po vazhdon politikën e saj agresive, me mjete të tjera.
Ai ka theksuar po ashtu se përkujtimi i gjenocidit në asnjë mënyrë nuk nënkupton hkmarrjen por është një detyrim yni kombëtar e qytetar, në radhë të parë. Nga ky komision në tubim ishin të pranishëm edhe Kushtrim Gara dhe Astrit Gjocaj.
Me një fjalë emocionale, publikut të pranishëm i është drejtuar zonja Ornela Radovicka, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Bibliotekës “At Belushi” në Frasnitë të Kalabrisë. Ajo ka kërkuar që të bëhet më shumë dhe nga të gjithë për ruajtjen dhe kultivimin e kujtesës historike, duke marrë shembull nga arbëreshët që këtë po e bëjnë tashmë afër gjashtë shekuj.
Zonja Kumrije Karaçica drejtoreshë e OJQ “For New Life Kosovo”, ka folur në emër të familjarëve të personave të zhdukur. Ajo është ndalur te peripecitë që ka kaluar edhe vetë si pjesëtare e një familjeje të tillë dhe ka përgëzuar “Qendrën…” për punën me vlerë që po e bën.
Fatjona Matraku, pianiste nga Parisi, me prejardhje çame, ka prezantuar në hapje të aktivitetit, disa pika artistike të literaturës muzikore shqiptare, me piano. Pastaj ajo ka lexuar një tekst të frymëzuar mbi gjyshërit e saj çamë dhe pësimin e tyre nga dhuna e shtetit grek, rreth tetëdhjetë vite më parë.
Artistët e ardhur nga Gjeneva, Afërdita, Shpejtim dhe Elion Krasniqi, me këngën “Lulet që nuk çelën kurrë”, vepër e Elion Krasniqit kanë kujtuar viktimat më të dhimbshme, fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ndërsa me interpretimin e këngës “Ata u bënë dritë” kënduar dhe interpretuar me piano nga Flutur Bytyqi, është kurorëzuar programi i pasur i këtij tubimi përkujtimor. Kënga i kushtohej martirëve nga familja e saj, të rënë në luftë po aq sa edhe të gjithë viktimave dhe dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë.
Tubimin e kanë drejtuar me kompetencë, Ramadan Morina dhe Alketa Gashi.
Në përmbyllje të aktivitetit, kryetari Bardhyl Mahmuti dhe nënkryetari Adnan Asllani kanë ndarë mirënjohje për një numër të madh personalitetesh dhe organizatash, me merita për punën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe për kultivimin e vlerave kombëtare, në mërgatë.
Mes tyre ishin: Kryetari i Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, z. Rozario Peta, Abaz Pllana nga shoqata shqiptare “Iliria” në Lion të Francës, Eduard Jakaj, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Zëri Atdheut” në Montebelluna të Italisë, Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës “Parandalo”, Cyrih, etj.
Porosia që doli nga ky manifestim ishte: sa më shumë punë dhe përkushtim për sensibilizimin e opinionit me gjenocidin e Serbisë në Kosovë!
E-Diaspora
-
E drejta e votës për të huajt: Një debat qytetar përballë sfidave të stigmatizimit I organizuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria, takimi mblodhi ekspertë akademikë, aktorë politikë dhe qytetarë të... -
Zvicër
Nis “Swissbau 2026” në Zvicër, prezantohen 27 kompani nga Kosova -
Angli
Angli, hapen klasa të reja për mësimin e gjuhës shqipe -
Dortmund
Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje mërgimtarit nga Kosova që shpëtoi katër persona nga mbytja -
SHBA
9-vjeçari shqiptar fiton dy medalje në Olimpiadën e Amerikës
Jeta në Zvicër
-
Cilat janë të rejat më të fundit mbi hetimin zviceran për zjarrin vdekjeprurës në një bar? Gati tre javë pas zjarrit vdekjeprurës të Vitit të Ri në një bar në një resort... -
Pse elita globale mblidhet në resortin zviceran të Davosit? -
Stuhia e fortë diellore sjell dritat veriore në Zvicër -
E drejta e votës për të huajt: Një debat qytetar përballë sfidave të stigmatizimit -
Kurti nga Davosi: Epoka e korrupsionit ka përfunduar në Kosovë




















