Kosova
Afati po afrohet, kush do të jetë President i Kosovës?
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi - në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh
Edhe gjashtë ditë pune kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por në vend të emrave dhe marrëveshjeve konkrete, dominon paqartësia.
Në prapaskenë, procesi nuk duket të jetë vetëm një detyrim formal kushtetues, por pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Kurti synon një president që do të jetë nën kontrollin e tij në momentet e rëndësishme politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Ai vlerëson se veprimtaria diplomatike e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i pengon llogaritjet e Kurtit, ndaj është në kërkim të një emri të ri.
Të hënën, më 23 shkurt, Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi – në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Osmani e ka bërë të qartë se synon mandat të ri, por Kurti – partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën në Kuvend – nuk e përmendi emrin e saj.
Ai nuk e përjashtoi kategorikisht, por vuri në dukje se do të ishte e kotë që partia të propozonte një kandidat, pasi e vetme mund të sigurojë maksimumi 66 vota – shumë larg numrit prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Për këtë çështje, Kurti takoi kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare – të dielën, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe të hënën, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Hamza u shpreh i gatshëm për bashkërendim parlamentar për, siç tha, çështje të interesit shtetëror e kombëtar, ndërsa Abdixhiku kërkoi ose marrëveshje politike, ose konsensus.
Kurti pranoi se situata për zgjedhjen e presidentit nuk është e lehtë. “Nuk shoh zell për zgjedhje të reja dhe kjo është një e përbashkët që kemi. Këto elemente më bëjnë optimist”, tha ai për gazetarët.
Megjithatë, ai nuk përmendi asnjë kandidat konkret, edhe kur u pyet për një mundësi nga familja e heroit Adem Jashari.
Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar. “Unë mendoj se Kurti mund ta ketë një emër që do ta propozojë, me shpresën që edhe opozita ta mbështesë. Nuk e di nëse ky emër do të vijë nga familja Jashari”, thotë Mushkolaj, duke shtuar se i gjithë procesi po zhvillohet me një mungesë shqetësuese të transparencës.
Sipas Mushkolajt, mesazhet publike të Kurtit lënë të kuptohet se mund të hiqet dorë nga mundësia që Osmani të fitojë një mandat të ri. Por, ai paralajmëron se nëse Vetëvendosja dhe opozita nuk gjejnë një emër të përbashkët, ajo mund të rikthehet si kandidate, për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Për të evituar zgjedhjet e parakohshme, nuk përjashtohet që zonja Osmani të jetë sërish në lojë”, vlerëson Mushkolaj.
“Por, thellë-thellë, unë besoj që Kurti është i interesuar për një person që nuk ia prish matematikat”, shton ai.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Osmani garoi në një listë me Kurtin dhe ishte ndër kandidatët më të votuar në Kosovë.
Ajo u zgjodh presidente në prill të atij viti dhe në politikën e jashtme shënoi disa arritje – nga sigurimi i njohjeve të reja ndërkombëtare të Kosovës deri tek anëtarësimi i saj në Bordin e Paqes për Gazën – një iniciativë e nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Me Kurtin, në disa raste, ka pasur përplasje të tërthorta, si për aleancat me aleatët perëndimorë apo për tarifën për importet nga SHBA-ja.
Analisti politik, Ilir Deda, vlerëson se presidenti i ardhshëm duhet të jetë dikush që “kupton dhe njeh thellësisht çështjet ndërkombëtare dhe pozicionin e Kosovës në arenën globale”.
“Ne duhet ta dimë se cili profil i kandidatëve do t’i bënte të ndiheshin rehat tri partitë e mëdha në Kosovë – LVV, PDK dhe LDK. A do të vazhdojë mandati i presidentes Osmani, apo do të zgjidhet një figurë e re? Këtë ende nuk e dimë”, shton Deda.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se zgjedhja e një presidenti konsensual do të sillte stabilitet institucional, por, deri tani, partitë politike, thotë ai, po e shohin procesin kryesisht nga prizmi i interesave partiake, e jo të vendit. Aktualisht, sipas tij, nuk është në interes të Kosovës, e as të partive, që të mbahen zgjedhje të reja, për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Kosova mbajti dy palë zgjedhje vitin e kaluar, pasi rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit 2025 nuk i mundësuan Kurtit – edhe pse partia e tij fitoi – të formonte Qeverinë e re.
Osmani nuk bëri ndonjë deklarim publik pas takimeve që zhvilloi Kurti me udhëheqësit opozitarë, por në rrjetet e saj sociale bëri disa përmbledhje të mandatit të deritashëm 5-vjeçar – nga vizitat jashtë vendit deri te takimet me diasporën.
“Në pozitën e presidentit nuk mund të vendoset dikush – sidomos në situatën e tanishme – që nuk ka haber në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo do ta dëmtonte edhe Kosovën, edhe institucionin e presidentit”, përfundon Deda.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
“Mëngjesi i Vëllazërimit” në Samitin e Diasporës, Hoxha: Trashëgimia shpirtërore është themeli i unitetit kombëtar Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi harmoninë fetare si një nga shtyllat... -
Hoxha takon Këshillin Koordinues të Diasporës, fokus bashkëpunimi për “Shqipëria 2030” -
Sot dita e tretë e Samitit të Diasporës, ja çfarë përfshin agjenda -
“Zërat e Diasporës” panel i veçantë në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare -
Aktorja shqiptare Lyra Xhoci pjesë e një seriali në Netflix
Jeta në Zvicër
-
Aplikacioni për luftimin e depresionit miratohet zyrtarisht dhe rimbursohet në Zvicër nga korriku Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) në Zvicër ka autorizuar përshkrimin dhe rimbursimin përmes sigurimit bazë... -
Gjeneva në qendër të botës së luksit: panairi i orëve rikthen fuqinë e takimeve reale -
Zvicër: Mungesë mjekësh për shkak të plakjes së popullsisë -
Zbulim i ri për ortekët: Si mund të shkaktojë presioni i borës katastrofa në Alpe -
Qeveria zvicerane: Bartja e procedurave të azilit jashtë vendit, punë e ndjeshme












