Lajme
Ida Jashari dhe përkushtimi për ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët në Zvicër
Në komunitetin shqiptar në Ostermundigenm, Bernë, mësimi i gjuhës shqipe vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare. Përmes shkollës shqipe, fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur në diasporë krijojnë një lidhje të qëndrueshme me gjuhën, historinë dhe rrënjët e tyre.
Në këtë intervistë për albinfo.ch, mësuesja Ida Jashari flet për përvojën e saj shumëvjeçare në arsimin shqip në Zvicër, për sfidat e mësimit të gjuhës në një mjedis shumëgjuhësh dhe për rëndësinë që shkolla shqipe ka në formimin e identitetit të brezave të rinj. Për të, mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një mision që lidh gjuhën, kulturën dhe kujtesën e një populli.
albinfo.ch: Çfarë domethënie ka për ju Dita e Mësuesit?
Ida Jashari: 7 Marsi është një datë shumë e rëndësishme për arsimin shqiptar. Ajo na kujton përpjekjet dhe sakrificat që janë bërë për ta mbajtur gjallë gjuhën dhe shkollën tonë. Për një mësuese në diasporë kjo ditë ka një kuptim të veçantë, sepse përmes gjuhës ne ruajmë edhe identitetin dhe kulturën tonë.
albinfo.ch: Si do ta përshkruanit përvojën tuaj si mësimdhënëse e gjuhës shqipe në Zvicër?
Ida Jashari: Është një përvojë shumë domethënëse. Çdo orë mësimi është një mundësi që fëmijët e lindur dhe rritur në diasporë të afrohen me gjuhën dhe kulturën e tyre. Është kënaqësi të shohësh se si ata fitojnë siguri dhe fillojnë të ndihen krenarë për origjinën e tyre.
albinfo.ch: Cili është historiku i shkollës shqipe ku ju jepni mësim?
Ida Jashari: Shkolla shqipe në Ostermundigen është themeluar rreth 35 vite më parë nga LAPSH – Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, me synimin që fëmijët shqiptarë në diasporë të mos e humbin lidhjen me gjuhën e tyre amtare.Mësuesja e parë që e themeloi këtë klasë ishte Saime Isufi, e cila kontribuoi me shumë përkushtim për vite me radhë. Më pas pata nderin ta vazhdoj këtë rrugë. Pas një përvoje 13-vjeçare në arsimin shqip në Tetovë, rreth 18 vite më parë në Zvicër pranova me kënaqësi të punoja si mësimdhënëse në këtë shkollë.
albinfo.ch: Sa e rëndësishme është që fëmijët e diasporës ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe?
Ida Jashari: Gjuha është themeli i identitetit. Kur një fëmijë mëson shqip, ai nuk mëson vetëm një gjuhë, por lidhet me historinë dhe kulturën e popullit të tij. Kjo i ndihmon të rriten me vetëdije për prejardhjen e tyre.
albinfo.ch: Si e vlerësoni interesimin e prindërve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe?
Ida Jashari: Interesimi i prindërve është shumë i rëndësishëm. Shumë prej tyre e kuptojnë se gjuha shqipe është një pasuri dhe përpiqen që fëmijët të mos e humbin lidhjen me të, pavarësisht angazhimeve në shkollat zvicerane.
albinfo.ch: Cilat janë sfidat kryesore në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?
Ida Jashari: Sfida më e madhe është fakti që fëmijët rriten në një mjedis ku gjuha dominuese është gjermanishtja. Gjithashtu mësimi plotësues zhvillohet vetëm disa orë në javë, prandaj mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme.
albinfo.ch: Çfarë ju motivon më shumë në punën tuaj me nxënësit?
Ida Jashari: Motivimi më i madh janë vetë nxënësit. Kur i sheh duke lexuar, shkruar apo folur shqip me krenari, kupton se përpjekja ia vlen.
albinfo.ch: Përveç mësimdhënies, ju drejtoni edhe Korin e grave “Lulëkuqet”. Sa e rëndësishme është kultura në diasporë?
Ida Jashari: Kultura dhe muzika janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë. Pas tetë vitesh veprimtarie, kori i grave “Lulëkuqet” u regjistrua zyrtarisht si një shoqatë kulturo-artistike. Përmes këngës ne ruajmë traditat dhe krijojmë një ndjenjë të fortë bashkësie mes shqiptarëve në diasporë.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’u përcillnit prindërve dhe fëmijëve shqiptarë në Zvicër në këtë Ditë të Mësuesit?
Ida Jashari: Mesazhi im për prindërit është të flasin sa më shumë shqip në familje dhe t’i mbështesin fëmijët në mësimin e gjuhës. Ndërsa fëmijëve do t’u thosha: mësoni dhe flisni shqip me krenari, sepse është gjuha e rrënjëve tuaja dhe një urë që ju lidh gjithmonë me historinë dhe kulturën tuaj.
Në fund, Ida Jashari thekson se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një përgjegjësi e përbashkët e mësuesve, prindërve dhe komunitetit. Përmes shkollës, kulturës dhe përkushtimit të përditshëm, kjo gjuhë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut, duke mbetur një lidhje e fortë mes brezave dhe rrënjëve të identitetit kombëtar.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi

E-Diaspora
-
Hoxha për 7 Marsin: Mësuesit ndërtojnë urën mes diasporës dhe Shqipërisë Ferit Hoxha uron mësuesit shqiptarë: Ju mbani gjallë gjuhën dhe identitetin tonë në botë... -
Dita e Inxhinierëve në EPFL bashkon studentët shqiptarë dhe profesionistët në Lozanë -
Berlin
Albanian Film Festival Berlin mbahet për herë të parë në zemër të Berlinit -
Katër nxënës nga Kosova kualifikohen në finalen ndërkombëtare të STEM në Romë -
Milano
Etnik Shala shkëlqen në Milano Fashion Week
Jeta në Zvicër
-
Asnjë fluturim special: Ndalohen fluturimet e reja zvicerane nga Omani Kompania ajrore SWISS ka ofruar një tjetër fluturim special nga Omani për në Cyrih. Por EDA... -
Pse kartëmonedhat zvicerane ndryshojnë kaq shpesh -
Spitalet zvicerane po përballen me një situatë të tensionuar -
Lucern: Trajnim kundër abuzimit për të gjithë ata që punojnë në kishë -
Më shumë pasagjerë zviceranë janë nisur nga Omani për në Cyrih












