Kosova

Orav: Zgjedhja e Presidentit është punë e Kosovës

"Me cilindo vendim që merr Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes, Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur"

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka mbajtur sot takimin e fundit me gazetarët kosovarë në përmbyllje të mandatit të tij. Mes tjerash ai ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund t’i tregojë Kosovës së kë do ta zgjedhë president.

“Zgjedhja e presidentes apo presidentit është zgjedhje e juaj, sigurisht e parlamentarëve tuaj të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë, të propozojnë kandidatë. Nëse askush nuk propozon kandidat, për ne si vëzhgues ndërkombëtarë nuk di çfarë të them. Nuk e di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast, por mendoj se Kosova është mjaft e pjekur. Ne nuk kemi qasje që t’ju tregojmë se si ta zgjidhni presidentin apo kë ta zgjidhni”, tha Orav, raporton rtklive.com.

Ai tha se me cilindo vendim që merr Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes, Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur.

Duke folur për procesin e integrimit në BE, Orav ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të ecin bashkë drejt këtij qëllimi, porse sipas tij dialogu në Bruksel është pjesë kyçe e këtij rrugëtimi.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka dhënë një moment të ri të zgjerimit të BE-së dhe se kjo ka bërë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara.

“Mendoj se një pjesë shumë e rëndësishme integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është dialogu dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi mes dy vendeve është shumë i nevojshëm”, shtoi ai.

Cili është qëndrimi i BE-së për Ligjin e Kosovës për të huajt

Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka vlerësuar se zbatimi i Ligjit për të Huajt është frymëzim për vendet e BE-së dhe mund të nxisë dinamika të reja në procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se fillimi i zbatimit të Ligjit për të Huajt është cilësuar si frymëzim për shumë vende të Bashkimit Evropian për mënyrën se si duhet trajtuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE. Gjatë një takimi me gazetarë disa ditë para përfundimit të mandatit, Orav ka shtuar se shpreson të ketë dinamika të reja në këtë proces.

“Aplikacioni për anëtarësim të Kosovës në BE nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se, nga njëra anë, ekzistonin masa ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe nga ana tjetër ishte e vështirë që vendet anëtare të BE-së të fillonin procesin. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshje e 14 marsit i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si ta trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt,” ka deklaruar ai.

Megjithatë, pavarësisht lehtësirave të arritura në dakordimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ambasadori Orav ka thënë se “zbatimi i këtij ligji nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës”.

Sipas tij, vendimi për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për personat që punojnë në institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në veri ka mundësuar që të ofrohen listat e personave përkatës.

“Këto lista nuk kanë qenë të gatshme për t’u dhënë më herët. Tani edhe popullata në veri sheh që është e mundur të ecet përpara në zgjidhjen e çështjeve dhe nuk ka probleme,” ka thënë ambasadori i BE-së.

Integrimi i këtyre dy institucioneve, sipas Oravit, pritet të mundësohet përmes veprimeve të ndërmarra pas konsultimeve mes kryeministrit Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, pa shkaktuar çrregullime apo ndërprerje të shërbimeve.

Përveç ndikimit te komuniteti serb në veri, ambasadori Orav e ka cilësuar Ligjin për të Huajt edhe si një shembull sesi mund të ecet përpara në dialog dhe në normalizimin e raporteve Kosovë–Serbi.

Asociacioni vazhdon të mbetet detyrim për Kosovën

Orav ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një obligim në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, pavarësisht se nuk është theksuar së fundmi në agjendën publike.

Ai ka vlerësuar se mbajtja e të njëjtit qëndrim për një periudhë të gjatë, pa rezultate konkrete, nuk është produktive dhe nuk i shërben procesit. Sipas tij, në rrethana të tilla, diplomacia kërkon fleksibilitet dhe gjetjen e mënyrave të reja për të avancuar çështjet e hapura.

“Bashkimi Evropian ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë të gjatë, që ky draft i Asociacionit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Ky qëndrim është mbajtur për një kohë të gjatë. Përsëri, mund ta mbajmë këtë qëndrim për shumë kohë, por nëse e dimë që nuk do të ndodhë, kjo qasje nuk i ndihmon askujt. Në diplomaci duhet të gjejmë mënyra se si t’i trajtojmë këto çështje. Dialogu i Brukselit do të thotë dialog, që përfshin edhe Asociacionin. Edhe nëse vjen më herët apo më vonë, ai nuk është zhdukur, dhe qeveria, Beogradi dhe emisarit Sorensen e dinë këtë shumë mirë,” ka deklaruar Orav.