Kosova

Mbyllen të gjitha vendpunishtet në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në kryeqytet, vendim i cili ka ardhur pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka deklaruar se mëngjesin e sotëm ka ftuar drejtorët e kryeqytetit dhe ka marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e komunës së Prishtinës”.

“Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së urbanizmit, inxhinierë të licencuar, përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se pas pranimit të këtij raporti të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë.

“Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit! Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës. Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin”, ka shkruar Rama, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, sot gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas incidentit, Komuna e Prishtinës ka pezulluar nga puna dy inspektorë të zonës dhe zyrtarin përgjegjës për lëndën.