Kosova
“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë
Projekti që synon zhvillimin e turizmit kulturor në Kosovë, “The Guestkeepers” është prezantuar në Konsullatën e Kosovës, në Cyrih
Kosova nuk ka dalje në det dhe kështu, as kushte për një turizëm masiv. Por ajo ka megjithatë mjaft çfarë tu ofrojë turistëve, veçmas tyre që duan eksplorimin e maleve dhe përgjithësisht relievit të bukur të Kosovës. Ndërsa për t`iu përgjigjur interesimit të turistëve me kërkesa më të rafinuara, që interesohen për trashëgiminë kulturore të vendit, mungojnë kryesisht guidat me nivel profesional ose ato janë të gjymta e jo gjithëpërfshirëse.
Si një përpjekje për të përmbushur këtë boshllëk, ABSM (Qendra Edukative dhe Këshillimore) nga Bazeli ka iniciuar projektin “The Guestkeepers”, me bazë në Kosovë, gjegjësisht në Gjakovë. Projekti ka gjetur mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe është ende në fillimet e veta.
Për të parë interesimin që ka mërgata për një turizëm të tillë dhe për të marrë sugjerimet dhe plotësimet nga ajo, bartësit e “The Guestkeepers” kanë bërë një prezantim të projektit të tyre në tri përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Zvicër. Gjatë fundjavës që kaloi, ata ishin mysafirë në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, në Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe në mbrëmjen e fundit, në Konsullatën e Kosovës, në Cyrih, nga e cila raporton albinfo.ch.
Shefi i Konsullatës, Vigan Berisha ka përshëndetur nismën, duke shprehur nevojën që Kosova ka për tu afirmuar edhe si vend me vlera të turizmit kulturor. Angazhimin në këtë drejtim ai e ka cilësuar si diplomaci kulturore në shërbim të vendit.
Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti, në cilësinë e menaxherëve, në një bashkëbisedim me të interesuarit që kishin ardhur në ambientet e Konsullatës kosovare në Cyrih kanë prezantuar gjerësisht vizionin e tyre për projektin. Ata kanë kërkuar dhe kanë marrë sugjerimet e të pranishmëve për plotësimin dhe përmirësimin e tij.
Projekti, sipas tyre ndodhet në fazën e konsolidimit dhe ka ende shumë punë për tu kryer deri në finalizimin e tij. Mbështetja nga qeveria është dhënë për tre vite por synimi i themeluesve është që “The Guestkeepers” të vazhdojë punën edhe pas kalimit të kësaj faze.
Ata kanë vënë theksin në trajnimin profesional të guidave, ose transformimin e të rinjve të moshës 18-30 vjeç, të cilët nga nxënës kthehen në “Ambasadorë të Mikpritjes”. Ata po trajnohen për përvetësimin e njohurive nga protokolli diplomatik dhe turizmi kulturor.
Përmes “Kosova Inn”, projekti po certifikon bujtinat dhe artizanët lokalë për të garantuar autenticitet. Fjala është për kritere të larta, të prekshme dhe konkrete që ato duhet të plotësojnë për tu certifikuar, thanë dy menaxherët, duke theksuar seriozitetin me të cilin po udhëhiqet projekti.
Në videon që u projektua në ekran, publiku pati mundësinë të shihte sekuenca të filmuara nga ushtrimi i zejeve me rëndësi për autoktoninë e tyre në Kosovë, si ajo e qeleshepunuesve, e filigrnistëve etj.
Në emër të themeluesit gjegjësisht nismëtarit të projektit ka folur edhe Skender Nikoliqi kryetar i ABSM me seli në Bazel. Ai është ndalur në nevojën për një turizëm të qëndrueshëm kulturor, nevojë kjo që ka rezultuar me vizionin për të nisur projektin “The Guestkeepers”.
Projekti është një “materie e gjallë” dhe pëson transformim, varësisht nga vërejtjet dhe sugjerimet që merren në terren, kanë thënë drejtuesit e tij, duke ju referuar edhe disa pikave të projektit që ende kanë nevojë të përplotësohen dhe fiksohen. Në një debat të gjallë ku morën pjesë shumë nga të pranishmit, u dhanë shumë ide dhe sugjerime për plotësimin dhe mbarëvajtjen e projektit.
Në një aperitiv që pasoi, drejtuesit dhe mysafirët patën mundësinë për shkëmbim idesh dhe përvojash lidhur me projektin konkret dhe turizmin kulturor në përgjithësi.
E-Diaspora
-
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë Familjarët kujtojnë jetët e tyre si shembull për përkushtim, dashuri dhe sakrificë për familjen... -
U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër -
Austri
Aksident tragjik në Austri, ndërron jetë 18-vjeçari shqiptar nga Kosova -
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” -
Suedi
Dizajni kosovar prezantohet me sukses në skenën e modës në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Shumica preferojnë pagesa pa para në dorë Pagesat pa para në dorë janë ende mënyra më e popullarizuar për të paguar në Zvicër,... -
Zvicër: Shkalla e lindjeve shkakton krizë në shkolla -
Mashtrim i ri në Zvicër: Mesazhe të rreme për pikët e Coop dhe Migros -
Rritet numri i blerjeve të armëve në Zvicër gjatë vitit 2025 -
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës
















