Kosova

Lëvizja Vetëvendosje kundër uljes së akcizës dhe TVSH-së për naftën

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot me kërkesë për seancë të jashtëzakonshme nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me përkrahje të deputetëve të partive të tjera opozitare, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetët e opozitës kanë akuzuar institucionet se nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur qytetarët nga shtrenjtimet si pasojë e rritjes së çmimit të derivateve.

Aty është theksuar se shteti ka mundur të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për të ndikuar në frenim të shtrenjtimit. Megjithatë, ky propozim është refuzuar nga partia në pushtet.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e krizës së naftës, duke thënë se të vetmit që po përfitojnë janë bizneset, të cilave, sipas tij, u garantohet fitimi nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndëmarrësisë dhe Inovacionit (MINT), për shkak të çmimit tavan.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ulja apo heqja e TVSH-së dhe akcizës për derivatet do të ndikonte vetëm tek operatori, por jo te konsumatori.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se ulja e TVSH-së nga 18 në 8% për naftën nuk do të kishte ndikim negativ në buxhetin e shtetit, pasi sipas tij, rritja e çmimit të naftës ka rritur edhe të hyrat e shtetit nga taksat.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, e ka akuzuar Qeverinë për mosmarrje të masave lidhur me rritjen e çmimit të naftës në vend, duke e quajtur atë “vëzhguese pasive”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka kundërshtuar kërkesën duke e cilësuar këtë propozim si ekonomikisht të papërgjegjshëm dhe politikisht populist.