Integrimi
Paradoksi shqiptar: mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut luftohet për këto të drejta bazë, në Zvicër shpesh shohim një orientim tjetër të energjisë dhe burimeve të diasporës shqiptare
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë, një pjesë e diasporës në Zvicër mobilizohet për ndërtimin e xhamive shumëmilionëshe.
Ky është një paradoks që duhet thënë hapur, jo për të sulmuar, por për të reflektuar.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një moment të ndjeshëm, ku të drejtat e fituara me shumë mund, sidomos ato që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, po vihen seriozisht në pikëpyetje.
Qeveria e re, pjesërisht në heshtje, po ndërmerr hapa që perceptohen si kufizim i rolit të shqipes në një shtet ku më shumë se një e treta e popullsisështë shqiptare.
Në këtë kontekst, shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të mos pranojnë cenimin e gjuhës së tyre.
Protestat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës janë një sinjal alarmi që nuk duhet injoruar, as nga pala maqedonase, as nga Bashkimi Europian.
Kur një i ri detyrohet të luftojë për një të drejtë themelore, kjo tregon se problemi është sistematik, jo i rastësishëm.
Në terren, realiteti është po aq shqetësues. Kushdo që ka vizituar Maqedoninë e Veriut si shqiptar nga Kosova apo Shqipëria e ka vënë re: në shumë raste mungon vullneti minimal për të kuptuar gjuhën shqipe, madje edhe kur është e qartë se bashkëbiseduesi nuk e njeh maqedonishten.
Kjo ndodh edhe në zona ku shqiptarët janë shumicë.
Ky nuk është problem komunikimi, por refuzim kulturor që, në raste të caktuara, merr edhe nuanca diskriminimi.
Bashkëjetesa nuk ndërtohet me indiferencë dhe as duke e parë tjetrin si inferior.
Por, ndërsa në Maqedoninë e Veriut luftohet për këto të drejta bazë, në Zvicër shpesh shohim një orientim tjetër të energjisë dhe burimeve të diasporës shqiptare.
Këtu, komuniteti është i organizuar dhe ekonomikisht i fuqishëm, por imamët me rrethin e tyre u kërkojnë besimtarëve të investojnë në projekte religjioze. Ky është një realitet që dihet nga të gjithë, por rrallë thuhet me zë.
Projektet për ndërtimin e xhamive shumëmilionëshe, të iniciuara dhe financuara në masë të madhe nga shqiptarët, shpesh nuk i përgjigjen një nevoje reale të komunitetit.
Rasti i debatit për një xhami të re në St. Gallen është ilustrues: në një zonë ku tashmë ekzistojnë disa xhami brenda një rrezeje të vogël, lind natyrshëm pyetja: pse edhe një tjetër dhe çfarë duam të arrijmë?
Për projektin e xhamisë 15 milionëshe albinfo.ch ka raportuar ne 2023.
Ajo çfarë unë kam parë aty, nuk i ndihmon integrimit të komunitetit tonë.
Këto mjete financiare do të kishin ndikim shumë më të madh nëse do të investoheshin në arsim, integrim dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.
Shkollat plotësuese, programet kulturore dhe iniciativat për fuqizimin e të rinjve janë ato që ndërtojnë të ardhmen reale të një komuniteti.
Të jemi të qartë, e drejta e lirisë fetare nuk duhet cenuar. Rreziku nuk është feja si e tillë. Tradita fetare e shqiptarëve ka qenë historikisht e moderuar dhe e lidhur me identitetin kombëtar. Rreziku qëndron te zhvendosja e fokusit drejt një identiteti të paqartë, ku gjuha dhe përkatësia kombëtare zbehen.
Kur të rinjtë ushqehen me narrativa të shkëputura nga realiteti ku jetojnë dhe me njohuri të kufizuara për gjuhën, prejardhjen dhe kulturën e tyre, krijohet një boshllëk identitar që mund të ketë pasoja afatgjata. Madje, këtu krijohen boshllëqe për manipulim të lehtë të të rinjve drejt një ekstremi të rrezikshëm.
Identiteti i një mërgimtari ruhet duke investuar në shkolla e arsim por jo domosdoshërisht edhe në xhami.
Ky paradoks pra duhet të na shqetësojë. Nuk është logjike që në një vend ku je autokton, të duhet ende të luftosh për gjuhën dhe të drejtat themelore, ndërsa në një tjetër, si Zvicra, që na ka ofruar strehë e mirëqenie, të përqendrohesh në projekte të ndërtimit të xhamive, thuajse se ne kemi migruar për të ndërtuar xhami dhe jo mirëqenie ekonomike.
Nëse brezat e rinj në diasporë rriten pa një lidhje të fortë me shqipen, atëherë humbja është afatgjatë dhe e pakthyeshme.
E kam të qartë që unë mbase mund të mos i shoh plotësisht nevojat shpirtërore të besimtarëve, mirëpo po e shoh që ata nuk brengosen për raportin me vendin mikpritës dhe me shoqërinë ku jetojmë. Po e shoh që po merr një kahje tjetër. Po e shoh që po i humbim këto balanca dhe po e shoh që pasojat do t’i ndiejmë të gjithë.
Andaj, këtu duhet reaguar dhe priorizuar integrimin, identitetin tonë shqiptar dhe jo vetëm atë fetar.
E-Diaspora
-
Adis Tairi: Sistemi shëndetësor në Zvicër kërkon urgjentisht staf të ri Adis Tairi, përmes platformës HealthCampus, angazhohet në trajnim praktik dhe përgatitjen e kuadrove të reja për... -
Vepra për Kosovën e Karl Jenkins shpallet më e pëlqyera në “Classic FM Hall of Fame 2026” -
Itali
Rai i kushton kronikë festës së valleve arbëreshe -
Washington D.C.
Kultura e Kosovës promovohet në Washington D.C. -
Belgjikë
Shqiptarja fiton çmimin “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjikë
Jeta në Zvicër
-
Katër persona të plagosur në St. Gallen: arrestohet një shtetas i Serbisë Policia kantonale e St. Gallenit ka arrestuar një burrë 51-vjeçar. Sipas policisë, burri i arrestuar është... -
Çfarë dihet për të gjithë shtetasit jo-BE që punojnë në Zvicër? -
A do të preken udhëtarët në Zvicër nga kriza e afërt e karburantit të avionëve në Evropë? -
Sa i (pa)pastër është ajri në Zvicër -
Ndjenja e konsumatorëve zviceranë u përkeqësua për shkak të luftës në Iran











