Kosova
Agim Ramadani, strategu i Koshares dhe i thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar
Agim Ramadani mbetet figurë e veçantë sepse te ai bashkoheshin si rrallë ndonjëherë ndjeshmëria e njeriut krijues dhe disiplina e ushtarakut profesionist
Në përvjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, është mbajtur akademi përkujtimore ku u vlerësua kontributi i tij në luftën çlirimtare, me theks të veçantë në thyerjen e kufirit në Betejën e Koshares.
Ramadani u kujtua si strategu që udhëhoqi një nga betejat më vendimtare të luftës, duke hapur kufirin Kosovë–Shqipëri.
“Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e betejës së Koshares. Një kufi që na kishte ndarë për pothuajse një shekull. Një kufi që të mësonte të ndaleshe, të përmbaheshe, të prisje. Dhe me kohë, u bë pjesë e mënyrës si mendonim dhe si e shihnim botën. Kjo ishte e vërteta jonë deri në fillim të vitit 1999. Beteja e Koshares, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetëkuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u shkatërrua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte ëndrrat”, tha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se në këtë përvjetor nuk kujtojnë vetëm një luftëtar të shquar, por një njeri që u bë simbol i guximit, i përkushtimit dhe i sakrificës për atdheun.
“Agim Ramadani mbetet figurë e veçantë edhe sepse te ai bashkoheshin si rrallë ndonjëherë ndjeshmëria e njeriut krijues dhe disiplina e ushtarakut profesionist. Kjo e bën edhe më të fuqishme trashëgiminë që ai na ka lënë. Në këtë përvjetor, duke kujtuar heroin Agim Ramadanin, ne kujtojmë njëkohësisht edhe rolin historik të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës. UÇK-ja ishte shprehja më e lartë e rezistencës së popullit tonë kundër shtypjes, kundër dhunës dhe kundër mohimit të të drejtave themelore. Ajo e ktheu kërkesën për liri, më falni, në qëndresë të organizuar dhe u bë bartëse e një përpjekjeje të drejtë çlirimtare që hapi rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj nderimi për dëshmorët tanë është njëkohësisht edhe nderim për idealet dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, tha se Agim Ramadani është arkitekti i thyerjes së madhe.
“Agimi është një paradoks i bukur. Si ushtarak karriere, ai zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë. Por, brenda asaj uniforme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrihte zemra fisnike e një poeti dhe piktori. Ai e dinte se liria nuk mbrohet vetëm me plumb, por edhe me kulturë dhe identitet. Brusha e tij pikturonte peizazhet e Kosovës, ndërsa vargu i tij profetik na kujtonte se edhe vdekja është e bukur kur i detyrohesh lirisë”, tha ai.
Gërvalla: Agim Ramadani, një emër i papërsëritshëm i kohës së tij
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në 27-vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, ka thënë se ai ka qenë emër i papërsëritshëm i kohës së tij.
“Sot, në 27-vjetorin e rënies heroike të tij në Betejën e Koshares në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit, ai mbetet një emër i papërsëritshëm i një kohe që u jetësua nga guximi dhe bindja e pathyeshme se liria dhe drejtësia arrihen me sakrificë dhe mbrohen me dinjitet”, ka shkruar ajo në facebook.
Gërvalla më tej ka thënë se beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë.
Ajo e quajti Ramadanin figurë të rrallë dhe shumëdimensionale që me vizion, vendosmëri dhe sakrificë e ktheu idealin e lirisë në realitet historik dhe la gjurmë të pashlyeshme në një prej periudhave më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Düsseldorf organizon mbrëmje letrare me autoren Jehona Kicaj U prezantua romani debutues “ë”, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të “Deutscher Buchpreis... -
Austri
Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Francë
Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone -
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”
Jeta në Zvicër
-
Përse Zvicra është vendi më i mirë në botë për emigrantët Me 86 nga 100 pikë të mundshme, Zvicra kombinon një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, arsim të... -
Rritet pesimizmi financiar në Zvicër -
Çmimet e naftës: Këshilli Federal refuzon ndërhyrjen -
Kompanitë në Indeksin e Tregut Zviceran lëshojnë 663 milionë ton CO2 -
Crans-Montana: Një i dyshuar bashkëpunon me drejtësinë













