Shqipëria

Diplomohen studentët e programit zviceran të turizmit

Ky program u ofron studentëve një diplomë të njohur ndërkombëtarisht, e cila garanton kushte dhe paga konkurruese, të njëjta me vendet e Evropës

Arsimi profesional çelës për punësim cilësor në turizëm.

Në kuadër të Samitit të Diasporës, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të brezit të parë të studentëve të shkollës së Hoteleri-Turizmit, të cilët kanë ndjekur programin e shkollës zvicerane “École Hôtelière de Lausanne”.

Ky program u ofron studentëve një diplomë të njohur ndërkombëtarisht, e cila garanton kushte dhe paga konkurruese, të njëjta me vendet e Evropës, transmeton albinfo.ch.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se arsimi profesional është një nga prioritetet e qeverisë, duke u konsideruar si një rrugë e sigurt drejt punësimit cilësor.

“Prej shumë vitesh e kemi vënë fokusin tek arsimi profesional, sepse besojmë që nëpërmjet tij mund të formësojmë një brez të ri, i cili jo domosdoshmërisht ka nevojë të ndjekë universitetin për të pasur një punë të mirëpaguar dhe për t’u kualifikuar,” u shpreh ministrja.

Ajo nënvizoi investimet e kryera në shkolla, konvikte dhe laboratorë, duke krijuar infrastrukturën e nevojshme që nxënësit të zgjedhin arsimin profesional. Sipas saj, ekselenca ndërkombëtare e shtuar në programet e mësimdhënies e afron Shqipërinë me standardet europiane të shërbimeve.

Ibrahimaj shtoi se integrimi evropian nuk është thjesht një listë detyrash, por një transformim i plotë në të gjitha fushat ekonomike.

“Jam krenare kur shikoj 60 vajza e djem që kanë marrë standardet e duhura, dinë të japin shërbime në anglisht dhe të përdorin programet e IT, duke mbuluar çdo aspekt nga shërbimi i tavolinës, kuzhina apo fusha të tjera të turizmit,” tha ajo.

Diplomim i parë i studentëve të programit zviceran të turizmit shihet si një hap i rëndësishëm për fuqizimin e arsimit profesional dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike në Shqipëri, duke e bërë vendin më konkurrues në tregun evropian.