Kosova

27 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

Rreth 1 milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni

Sot shënohet 27-vjetori i Eksodit të shqiptarëve të Kosovës, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së re shqiptare, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan të shpërngulen me dhunë nga forcat paramilitare serbe drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton albinfo.ch.

Përveç të dëbuarve në këto dy shtete, mijëra qytetarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda Kosovës, duke kërkuar strehim në zona malore për t’i shpëtuar terrorit dhe dhunës.

Eksodi i vitit 1999 mori përmasa të jashtëzakonshme dhe u shoqërua me vuajtje të mëdha njerëzore. Mes të dëbuarve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, shumë prej tyre të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar, ndërsa familje të tëra u ndanë nga njëra-tjetra në kaosin e largimit.

Kulmi i dëbimeve ndodhi pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), kur regjimi serb intensifikoi spastrimin etnik në Kosovë.

Një moment i veçantë i kësaj drame u shënua më 27 mars 1999, kur në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova. Shumica ishin gra dhe fëmijë, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike, ndërsa shumë prej tyre kishin plagë të shkaktuara nga dhuna brutale e forcave serbe.

Refugjatët e parë ishin kryesisht banorë të fshatrave të zonës së Prizrenit, përfshirë Krushën e Madhe dhe Zymin, dhe fillimisht u strehuan në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.

Vetëm deri në mesnatën e 27 marsit, në Kukës mbërritën 12.721 kosovarë, ndërsa fluksi vazhdoi edhe ditën tjetër, më 28 mars, kur numri i të ardhurve arriti rreth 13 mijë.

Sipas dëshmive, refugjatët që hynin nga Morina kishin kaluar një trajtim çnjerëzor: ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe shpesh edhe zhveshur, ndërsa policia serbe u kishte marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë.

Përballë këtij fluksi të madh, Kukësi u shndërrua në një qendër të madhe strehimi. Përveç Pallatit të Kulturës, u hapën dyert e shkollave, çerdheve, kopshteve, magazinave dhe depove, ndërsa një pjesë e madhe e refugjatëve u sistemuan në familje kuksiane.

Në shumë raste, një familje në Kukës strehonte mesatarisht deri në 14 kosovarë, të cilët flinin në çdo hapësirë të mundshme të shtëpisë, duke dëshmuar solidaritet të rrallë dhe mikpritje shembullore.

Në fillim të javës mbërriti edhe karvani i dytë i të dëbuarve, me rreth 70 mijë kosovarë, të cilët u shpërndanë në qytet, në komunat përreth dhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Pavarësisht ndihmës së institucioneve, një rol vendimtar në përballimin e situatës pati populli shqiptar, që hapi dyert për vëllezërit e motrat nga Kosova, duke i pritur me dinjitet e humanizëm.

Për këtë arsye, 16 prilli shënohet në Kukës si Dita e Eksodit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që u bënë pjesë e një prej kapitujve më të mëdhenj të solidaritetit kombëtar.

Eksodi i vitit 1999 mbetet një plagë e rëndë e kujtesës historike, por edhe një dëshmi e fortë e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve në momentet më të vështira.