Lajme

SHBA-të pritet të nxjerrin pasaporta të reja për 250-vjetorin e pavarësisë, me imazhin e Donald Trump

Dokumentet e reja përkujtimore do të kenë elemente artistike dhe dizajn të veçantë, përfshirë figurën dhe firmën e ish-presidentit Trump në brendësi të pasaportës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të lansojnë këtë verë një seri të kufizuar pasaportash të reja, të dizajnuara për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së vendit, përcjell albinfo.ch.

Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është përfshirja e imazhit të Presidentit Donald Trump në brendësi të dokumentit zyrtar.

Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, pasaportat e reja fillimisht do të shpërndahen nga Agjencia e Pasaportave në Uashington për aplikimet fizike, ndërsa aplikimet online dhe zyrat e tjera do të vazhdojnë të përdorin modelin aktual.

Në dizajnin e ri, në kopertinën e brendshme do të shfaqet fytyra dhe firma e Trump me ngjyrë ari, ndërsa në pjesën e pasme do të jetë e vendosur piktura “Deklarata e Pavarësisë” nga John Trumbull.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, ka konfirmuar se këto pasaporta janë pjesë e aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së në korrik, duke theksuar se dizajni i ri do të përfshijë elemente artistike, duke ruajtur standardet e larta të sigurisë.

Aktualisht, pasaportat amerikane përmbajnë ilustrimin e Francis Scott Key dhe vargje nga himni kombëtar, ndërsa modeli i ri shënon një ndryshim të rëndësishëm në simbolikë dhe përmbajtje.

Përdorimi i imazhit të Trump në materiale përkujtimore nuk është risi, pasi ai është shfaqur edhe në leje për parqet kombëtare, monedha përkujtimore për 250-vjetorin, si dhe në disa institucione kulturore.

Megjithatë, pasaportat konsiderohen rasti më i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për dokumente zyrtare identifikimi me vlefshmëri deri në 10 vite dhe përdorim ndërkombëtar./Albinfo.ch