Maqedonia

Takimi Gashi-Parmelin, flitet për bashkëpunimin mes dy vendeve

“Konfirmuam marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe bashkëpunim të qëndrueshëm”, deklaroi Gashi

Kryeparlamentari i Maqedonisë Veriore, Afrim Gashi priti në takim Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup, të cilën e vlerësoi si të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Gashi theksoi se gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra ofron në proceset demokratike dhe reformat në vend.

“Konfirmuam marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe bashkëpunim të qëndrueshëm”, deklaroi Gashi, transmeton albinfo.ch.

Në bisedime u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit bilateral dhe ndërparlamentar, si dhe rëndësia e diasporës në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve.

“Kjo vizitë përbën një dëshmi të përkushtimit të përbashkët për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, shtoi ai.

“Diskutuam për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, si në nivel bilateral ashtu edhe në atë ndërparlamentar, si dhe forcimin e institucioneve demokratike. Theksova se një vend të veçantë në këtë partneritet zë edhe diaspora jonë në Zvicër, e cila përbën një urë të fuqishme lidhëse dhe jep kontribut të çmuar për zhvillimin e marrëdhënieve tona”, theksoi Gashi.