Kosova

Kosovë: Sot afati i fundit për partitë për të konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme

Mbyllet sot afati për deklarimin e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe formim të koalicioneve

Sot është dita e fundit që partitë politike të regjistruara në Kosovë të njoftojnë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, si dhe për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ky proces ka nisur më 1 maj dhe përfundon sot, më 7 maj.

Sipas tij, deri të mërkurën në orën 12:00, KQZ-ja ka pranuar njoftim për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, ndërsa katër parti të tjera kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë.

“KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga katër të tjera dhe formimin e një koalicioni të përbërë nga dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

Deri më tani është regjistruar vetëm një koalicion parazgjedhor, i formuar nga dy parti boshnjake: Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë regjistruar koalicionin me emrin Koalicija VAKAT.

Sipas KQZ-së, ky proces vlen vetëm për partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në regjistrin zyrtar të partive politike në Kosovë.

“Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Elezi.

Nga ana tjetër, KQZ-ja ka bërë të ditur se njoftimi për pjesëmarrje në zgjedhje dhe regjistrimi i koalicioneve është një proces i ndarë nga aplikimi për certifikimin e subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.

Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 10 maj.

Gjatë kësaj periudhe, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë aplikimin për certifikim në KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, dorëzimi i listave me emrat e kandidatëve për deputetë ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

Sipas KQZ-së, subjektet politike – përfshirë partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – kanë një afat 11-ditor për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor 2026. Procesi i dorëzimit të listave bëhet përmes platformës elektronike dhe është i ngjashëm me procedurat e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar./Albinfo.ch