Integrimi

Rheintal në Zvicër: Mbrëmje e Kickbox-it dhe Boksit me yjet shqiptare

Fight Night Rheintal do të mbahet më 27 qershor 2026 në Oberriet dhe pritet të mbledhë qindra spektatorë, duke e kthyer këtë event në një nga ngjarjet më të veçanta të sporteve luftarake në rajon.

 

E shtunë, 27 Qershor 2026 – Oberriet (SG)

Ky event organizohet nga vëllezërit Rashiti, të njohur në botën e sporteve luftarake. Blerim Rashiti, kampion bote trefish në kickbox, dhe Ylli Rashiti, kampion i shumëfishtë i Zvicrës në boks dhe boksier profesionist, janë iniciatorët e kësaj ngjarjeje.

Kickbox, Boks dhe talente nga e gjithë Zvicra

Në qendër të këtij eventi janë përballjet në Kickbox dhe Boks, ku do të marrin pjesë shumë talente nga rajoni dhe nga e gjithë Zvicra. Një vëmendje e veçantë i kushtohet talenteve shqiptare nga skena luftarake, të cilët do të kenë mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre para publikut.

Mes sportistëve dhe emrave të njohur që pritet të jenë pjesë e eventit përmenden edhe Bekim Misini, Rinor Balaj, Azad Er, Leon Riedler dhe shumë talentë të tjerë nga skena e sporteve luftarake.

Organizatorët synojnë që përmes këtij eventi të promovojnë sportin, disiplinën dhe mundësitë për gjeneratat e reja në sportet luftarake.

Fight Night Rheintal do të zhvillohet edhe në bashkëpunim me federatën WKU, ndërsa presidenti i saj, Skender Shahinaj, i njohur për organizimin e eventeve të shumta ndër vite, vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sporteve luftarake në Zvicër.

Mbështetje nga komuniteti

Ngjarja realizohet me përkrahjen e bizneseve dhe sponsorëve lokalë, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë mes sportit dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.