Kosova

Itali: Dhjetë kompani nga Kosova prezantohen në panairin ndërkombëtar “Tuttofood 2026”

Nga sot deri më 14 maj, në Milano, Itali, po zhvillohet panairi ndërkombëtar i industrisë ushqimore “Tuttofood 2026”, ku Kosova po përfaqësohet nga 10 kompani vendore që po prezantojnë produktet e tyre para blerësve, partnerëve potencialë dhe vizitorëve nga mbarë bota.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila ka siguruar hapësirën ekspozuese prej 90 m² për prezantimin e kompanive kosovare. Kompanitë pjesëmarrëse në këtë edicion të panairit janë: “Frutti Sh.p.k., “Happy Sh.p.k.”, “Vitafood Sh.p.k.”, “Camel Sh.p.k.”, “Perfect Paper Cups L.L.C.”, “Ask Foods Sh.p.k.”, “N.P.T Afri Trade”, “Agro-Florentina Sh.p.k.”, “Natopia Sh.p.k.” dhe “Abi Progress 2000 L.L.C.””, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.
Në këtë panair, kompanitë nga Kosova po ekspozojnë një gamë të gjerë produktesh, duke përfshirë: produkte të industrisë përpunuese ushqimore, produkte të thata nga frutat dhe perimet, produkte konditorike, lëngje frutash, këpurdha, fruta mali, si dhe produkte të tjera industriale si letra të lagura dhe gota letre.
Pjesëmarrja në “Tuttofood 2026” përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare me kompani dhe distributorë nga tregjet ndërkombëtare.