Lajme

Kolonat e gjata vazhdojnë në Gotthard, bllokim i madh i trafikut drejt jugut

Rreth 10 kilometra kolonë para tunelit të Gotthardit, udhëtarët përballen me pritje deri në 1 orë e 40 minuta.

Trafiku drejt jugut në Zvicër është rënduar ndjeshëm të enjten në mëngjes, me një kolonë të gjatë që ka arritur rreth 10 kilometra para hyrjes veriore të tunelit Gotthard, transmeton albinfo.ch.

Sipas TCS (Touring Club Suisse), koha e pritjes ka shkuar deri në 1 orë e 40 minuta. Kolona është krijuar në disa segmente të autostradës A2, midis Erstfeld dhe Göschenen, duke shkaktuar ngadalësim të madh të qarkullimit.

Autoritetet kanë rekomanduar si alternativë rrugën përmes tunelit San Bernardino në A13, por edhe aty është raportuar trafik i rënduar, me kolona po ashtu rreth 10 kilometra.

Edhe një ditë më parë, e mërkura, është regjistruar e njëjta situatë me kolona të gjata në të njëjtën zonë, duke treguar një ngarkesë të vazhdueshme të trafikut në këtë aks të rëndësishëm drejt jugut të Zvicrës./Albinfo.ch