Lajme

Papa Leo XIV paralajmëron rreziqet e inteligjencës artificiale

Papa Leo XIV ka publikuar enciklikën e tij të parë, një dokument kryesor doktrinar ku trajton ndikimin e inteligjencës artificiale dhe kërkon rregullim të fortë të saj në nivel global.

Në tekstin me titull Magnifica Humanitas, të prezantuar nga Vatikani, Papa paralajmëron se inteligjenca artificiale mund të sjellë rreziqe serioze për dinjitetin njerëzor nëse nuk kontrollohet dhe nuk udhëhiqet nga një kod etik i përbashkët.

Ai bën thirrje për “çarmatimin” e inteligjencës artificiale, duke theksuar se ajo nuk është moralisht neutrale dhe nuk duhet të lejohet të dominojë mbi njerëzimin. Po ashtu, ai kërkon forcimin e edukimit digjital për të kuptuar dhe menaxhuar rreziqet e teknologjisë.

Në enciklikë trajtohen edhe çështje si përqendrimi i pushtetit teknologjik në duart e kompanive të mëdha, rreziku i “dehumanizimit” të njeriut përmes të dhënave dhe performancës, si dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në fushën ushtarake. Papa thekson se “asnjë algoritëm nuk mund ta bëjë luftën moralisht të pranueshme”.

Dokumenti përfshin gjithashtu kritika ndaj shfrytëzimit të punës në zinxhirët e prodhimit të teknologjisë dhe kërkon zgjidhje më të qëndrueshme për të ulur ndikimin mjedisor të zhvillimit teknologjik.

Sipas Vatikanit, kjo enciklikë synon të vendosë një kornizë etike globale për zhvillimin e inteligjencës artificiale në shërbim të dinjitetit njerëzor.