Kosova

Kosova merr nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan

Autoritetet e Kosovës marrin nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar në Zveçan se marrja nën kontroll e stacionit hekurudhor nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, por me zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me praninë e disa ministrave në detyrë dhe asistimin e Policisë së rajonit të veriut, autoritetet kosovare kanë marrë të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”.

Gjatë aksionit është larguar mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti dhe është vendosur një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.

I pyetur nga gazetarët nëse ky veprim lidhej me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën struktura paralele dhe ilegale të Serbisë”, ka deklaruar Sveçla, sipas transmetimit të “Kossev”.

Ai shtoi se çdo institucion që vlerësohet si “ilegal dhe paralel” do të jetë subjekt i veprimeve të institucioneve kompetente.

Sa i përket të ardhmes së stacionit hekurudhor dhe mundësisë së funksionalizimit të tij, Sveçla tha se objekti është pjesë e rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe do të përfshihet në projektet e rindërtimit të infrastrukturës hekurudhore në vend.

Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bëri të ditur se pas Zveçanit, veprime të ngjashme pritet të ndërmerren edhe në Leposaviq dhe Leshak. /Albinfo.ch