Kosova

Qeveria në detyrë themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Ekzekutivi miraton fondin pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa ndan mjete edhe për shëndetësi dhe teknologji

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur të themelojë Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 23 prill 2026, albinfo.ch.

Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur më 1 qershor, ku janë miratuar edhe disa vendime të tjera me rëndësi në fushën e shëndetësisë dhe zhvillimit teknologjik.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor kishte marrë mbështetje të gjerë në Kuvend, duke u votuar nga 80 deputetë, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, opozita kishte theksuar se ligji përmban mangësi që duhet të adresohen në fazën e zbatimit.

Projektligji ishte miratuar për herë të dytë nga Qeveria më 3 prill 2026, pasi versioni paraprak ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, janë ndarë 153 mijë euro për mbështetjen e tri ngjarjeve që organizohen në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila synon promovimin e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

Këto vendime janë marrë në kohën kur Qeveria vazhdon të ushtrojë detyrën me mandat teknik, pas shpërndarjes së Kuvendit më 5 mars 2026. Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor./Albinfo.ch