Kosova

Drejt heqjes së roamingut me BE-në? Kosova mund të përfshihet në sistemin “Roam like at home”

Qytetarët e Kosovës dhe diaspora mund të përdorin telefonat mobilë në BE pa pagesa shtesë

Një lajm i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor vjen nga Brukseli, ku ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar vendimin për nisjen e negociatave që synojnë heqjen e roamingut mes BE-së dhe rajonit, transmeton albinfo.ch.

Vendimi pritet të marrë miratimin formal nga Këshilli i BE-së, duke i hapur rrugë negociatave individuale me Kosovën, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Nëse procesi përfundon me sukses, qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Evropian do të mund të përdorin telefonat e tyre për thirrje, mesazhe dhe internet pa pagesa shtesë, sipas modelit evropian “Roam like at home” (Roaming sikur në shtëpi). E njëjta lehtësi do të vlejë edhe për diasporën dhe turistët evropianë që vizitojnë Kosovën.

Komisioni Evropian e konsideron këtë hap si pjesë të integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për rajonin.

Sipas zyrtarëve evropianë, synimi është që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti, ndërsa heqja e plotë e tarifave të roamingut mund të bëhet realitet që gjatë vitit të ardhshëm./Albinfo.ch