Lajme

Takim në Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB për çështjen çame

Delegacioni u prit nga znj. Claudia De La Fuente, Sekretare e Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Degës së Traktateve të të Drejtave të Njeriut

Sot, në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, u zhvillua një takim kushtuar çështjes çame dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë për më shumë se 82 vjet.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Nazmi Jakurti, kryetar i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë me qendër në Zvicër, diplomati dhe akademiku Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, diplomati, shkrimtari dhe publicisti Luan Rama, si dhe Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, themelues dhe kryeredaktor i parë i gazetës “Çamëria”, thuhet në një njoftim që delegacioni i ka dërguar platformës albinfo.ch.

Delegacioni u prit nga znj. Claudia De La Fuente, Sekretare e Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Degës së Traktateve të të Drejtave të Njeriut.

Gjatë takimit, z. Veliu theksoi se çështja çame nuk është thjesht një çështje historike e së kaluarës, por një problem me pasoja konkrete që vazhdojnë të prekin shqiptarët e Çamërisë edhe sot. Ai nënvizoi se të drejta themelore, si e drejta e pronës, e drejta mbi trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe e drejta për të vizituar lirisht vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre, vazhdojnë të mohohen nga shteti grek.

Në mënyrë të veçantë, z. Veliu solli në vëmendje rastet e shumta të personave të lindur në Çamëri, të cilëve u ndalohet hyrja në Greqi dhe vizita në shtëpitë ku kanë lindur, përmes pretekstesh administrative që bien ndesh me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi paraqiti një pasqyrë historike të çështjes çame, duke argumentuar se që prej vitit 1913 politika shtetërore greke ka ndjekur një linjë të qartë diskriminimi dhe spastrimi etnik ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Ai vuri në dukje gjithashtu mungesën e një angazhimi të qëndrueshëm të diplomacisë shqiptare për trajtimin e kësaj çështjeje në arenën ndërkombëtare. Prof. Xhufi theksoi se mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës përbën një paradoks të papranueshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë nënshkruar traktate miqësie dhe bashkëpunimi.

Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama solli në vëmendje mënyrën se si Europa ka trajtuar rastet e krimeve të kryera ndaj popullsive të ndryshme, duke kujtuar aktet e reflektimit dhe kërkimit të faljes të ndërmarra nga burra shteti europianë si François Mitterrand dhe Willy Brandt. Ai theksoi se një reflektim i tillë nga shteti grek mungon ende për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Z. Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për humbjen progresive të identitetit shqiptar në Çamëri. Sipas tij, shkatërrimi i shtëpive tradicionale, objekteve të kultit, monumenteve dhe trashëgimisë historike përbën jo vetëm humbje për shqiptarët, por edhe për vetë trashëgiminë kulturore europiane. Ai nënvizoi se shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim kufijsh, por vetëm respektimin e të drejtave themelore të mohuara prej dekadash.

Prof. Dr. Bashkim Kuçuku foli për përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Çamërisë, institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë për ta sjellë çështjen çame në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë paqësore dhe plotësisht në përputhje me frymën e konventave europiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Nga ana e tij, z. Nazmi Jakurti theksoi se çështja çame është një çështje kombëtare shqiptare, për të cilën janë angazhuar shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora. Ai nënvizoi se Lidhja e Shqiptarëve në Botë e ka përfshirë çështjen çame në mënyrë të vazhdueshme në agjendën e saj institucionale dhe publike.

Në përfundim të takimit, znj. Claudia De La Fuente falënderoi delegacionin për informacionin e paraqitur dhe shprehu gatishmërinë për ta përcjellë këtë çështje pranë strukturave përkatëse të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e marrjes së informacionit zyrtar nga shteti grek dhe ai shqiptar, me qëllim krijimin e një panorame të plotë mbi qëndrimet institucionale lidhur me çështjen çame.

Në fund të takimit, z. Veliu i dorëzoi znj. De La Fuente një dosje të gjerë dokumentare mbi çështjen çame, që përfshin materiale historike, juridike, politike dhe kulturore, si dhe dëshmi autentike të të mbijetuarve të dëbimit dhe persekutimit të shqiptarëve të Çamërisë.

Gjenevë 5 Qershor 2026