Shqipëria
Zvërneci: Dy modele zhvillimi dhe një pyetje për shqiptarët
Pak vende në Evropë kanë privilegjin të posedojnë një kombinim të tillë natyre, biodiversiteti dhe trashëgimie kulturore si Zvërneci. Për këtë arsye, debati nuk duhet të jetë nëse zona duhet të zhvillohet apo jo, por çfarë lloj zhvillimi duhet të ketë.
Shqipëria tashmë ka prodhuar modele suksesi që mund të shërbejnë si pikë referimi. Njëri është modeli i turizmit në komunitet, i mishëruar nga Mrizi i Zanave. Në pak më shumë se një dekadë, ky projekt ka transformuar një zonë rurale në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht.
Përveç vlerësimeve gastronomike dhe artikujve të shumtë në mediat botërore, ndikimi më i madh ka qenë tek komuniteti lokal. Restorante të reja, bujtina, ferma dhe biznese të vogla kanë lindur si rezultat i drejtpërdrejtë i suksesit të tij.
Banorët janë bërë krenarë për vendin e tyre dhe kanë gjetur arsye ekonomike për të qëndruar aty. Modeli tjetër është ai i turizmit të aventurës, i përfaqësuar nga Peaks of the Balkans. Një shteg malor ndërkufitar ka arritur të kthejë një pjesë të Alpeve Shqiptare në një destinacion ndërkombëtar. Vlera e këtij modeli qëndron në faktin se pothuajse i gjithë zinxhiri ekonomik mbetet lokal: bujtinat, transporti, guidat, fermat, prodhuesit e ushqimit dhe bizneset e vogla familjare.
Të dy këto modele kanë një karakteristikë të përbashkët: përdorin relativisht pak burime natyrore dhe krijojnë ndikim të kufizuar në mjedis. Konsumi i ujit, energjisë dhe hapësirës është i moderuar, ndërsa përfitimet shpërndahen në një numër të madh familjesh dhe biznesesh lokale. Por pyetja më e rëndësishme nuk është sa turistë vijnë dhe as sa para shpenzojnë. Pyetja është: sa prej këtyre parave mbeten në vend?
Kjo është një pyetje që ekonomistët e turizmit e studiojnë prej dekadash përmes konceptit të njohur si “tourism leakage” – rrjedhja e të ardhurave turistike jashtë destinacionit. Studimet ndërkombëtare tregojnë se modelet e turizmit në komunitet dhe të aventurës kanë tendencë të mbajnë shumicën e vlerës së krijuar në ekonominë lokale.
Në shumë raste, mbi 60 për qind e shpenzimeve të turistëve mbeten në komunitet dhe në disa modele të suksesshme kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë. Arsyeja është e thjeshtë: turisti fle në bujtinë lokale, ha produkte të zonës, përdor guida vendase, transport lokal dhe blen mallra të prodhuara nga komuniteti. Në anën tjetër qëndron modeli i turizmit elitar i bazuar në resorte të mëdha.
Ky model sjell zakonisht qarkullim më të lartë financiar për turist. Një vizitor mund të shpenzojë dy ose tri herë më shumë sesa një turist i aventurës ose i turizmit rural.
Megjithatë, studimet ndërkombëtare tregojnë se në resortet e mëdha dhe modelet all-inclusive, rrjedhja e të ardhurave mund të arrijë 60 deri në 80 për qind. Një pjesë e madhe e parave largohet përmes importeve të ushqimit dhe pajisjeve, kontratave me kompani ndërkombëtare, pagesave të menaxhimit dhe transferimit të fitimeve tek pronarët jashtë vendit.
Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë: Nëse një turist i aventurës ose i turizmit në komunitet shpenzon 1,200 euro gjatë një jave në Shqipëri, në ekonominë lokale mund të mbeten rreth 720 deri në 1,080 euro. Nëse një turist i një resorti elitar shpenzon 3,000 euro gjatë së njëjtës periudhë, në ekonominë lokale mund të mbeten rreth 600 deri në 1,200 euro. Këto janë natyrisht përllogaritje teorike, por ato tregojnë se qarkullimi më i lartë nuk përkthehet domosdoshmërisht në përfitim më të madh për komunitetin.
Kjo nuk do të thotë se resortet nuk krijojnë vende pune. Sigurisht që krijojnë. Por ekziston një dallim i rëndësishëm. Në modelin e turizmit në komunitet, shqiptarët janë kryesisht pronarë: të bujtinave, fermave, restoranteve, shërbimeve të transportit dhe guidave. Pasuria e krijuar mbetet në familje dhe trashëgohet nga brezi në brez. Në modelin e resorteve, shqiptarët janë më shpesh të punësuar sesa pronarë.
Përfitimet vijnë kryesisht përmes pagave, ndërsa kapitali dhe fitimet mund të përqendrohen tek investitorët. Ekziston edhe çështja e përdorimit të burimeve natyrore. Turizmi i komunitetit dhe ai i aventurës kërkojnë relativisht pak ndërhyrje në mjedis.
Ata konsumojnë më pak ujë, më pak energji dhe kanë nevojë për më pak betonizim të bregdetit apo të zonave natyrore. Resortet elitare zakonisht kërkojnë më shumë ndërtime, më shumë energji, më shumë ujë dhe më shumë infrastrukturë. Në vende me burime të kufizuara ujore, ky aspekt bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Ka edhe një dimension tjetër, më pak të matshëm, por po aq të rëndësishëm: ai psikologjik.
Turizmi në komunitet i bën banorët të krenohen me natyrën, kulturën, traditat dhe produktet e tyre. Ai krijon një ndjenjë pronësie mbi zhvillimin.
Turizmi elitar mund të krijojë krenari për investimet moderne dhe standardin e lartë të shërbimeve, por jo domosdoshmërisht të njëjtën ndjenjë pjesëmarrjeje të komunitetit. Sigurisht, ekziston edhe një dimension tjetër që nuk mund të injorohet: ai gjeopolitik. Investimet strategjike, veçanërisht ato amerikane dhe perëndimore, mund të kenë vlera që shkojnë përtej ekonomisë së turizmit dhe lidhen me orientimin politik e strategjik të vendit. Por edhe duke e marrë këtë faktor në konsideratë, pyetja themelore mbetet e njëjtë.
Çfarë duan shqiptarët të mbetet pas pesëdhjetë vitesh? Një peizazh i ruajtur, me qindra biznese të vogla lokale, komunitete të forta dhe ekonomi që shpërndan përfitimet tek shumë familje? Apo një ekonomi e ndërtuar kryesisht rreth investimeve të mëdha dhe resorteve? Nuk është detyrë e imja t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Është një zgjedhje që i takon shoqërisë shqiptare. Por për ta bërë atë zgjedhje me vetëdije, debati duhet të shkojë përtej premtimeve për investime dhe vende pune.
Pyetja nuk është vetëm sa para sjell turizmi. Pyetja është sa prej tyre mbeten në Shqipëri, sa prej tyre mbeten në komunitet dhe çfarë trashëgimie ekonomike e mjedisore u lëmë brezave që vijnë. Për një pasuri natyrore si Zvërneci, kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme që shqiptarët duhet t’i bëjnë vetes sot.
E-Diaspora
-
Lugina’s Day 2026 bashkon diasporën shqiptare në Zvicër për mbështetjen e Luginës së Preshevës Qindra pjesëmarrës nga Lugina e Preshevës, diaspora shqiptare, si dhe përfaqësues institucionesh, biznesesh dhe organizatash të... -
Çështja çame, një plagë e pambyllur që rrezikon të harrohet -
“Dardania” përfaqëson traditën shqiptare në “Tag der Vielfalt” -
Nga Gjeneva, diaspora shqiptare ngre zërin: “Shqipëria nuk është në shitje” -
Sot, LUGINA’S DAY 2026: Ngjarja që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Kantoni zviceran ndan 1.25 milionë CHF për hetimin e rastit në Crans-Montana Këshilli i Madh në kantonin zviceran të Valais do të ndajë 1.255 milionë CHF për Zyrën... -
Ticino mbushi hotelet dimrin e kaluar -
Kantoni i Vaud do të mobilizojë 2200 persona gjatë G7 -
Energjia bërthamore po fiton përsëri popullaritet përballë frikës së mungesës së energjisë elektrike -
Ngarkesa e punës së mjekëve zviceranë lehtësohet, por ende shkakton shqetësim












