Lajme
“Dardania” përfaqëson traditën shqiptare në “Tag der Vielfalt”
Tash e 32 vite ambasadore e kulturës shqiptare!
Në manifestimin tradicional multikulturor “Tag der Vielfalt”, të mbajtur në Alte Kaserne në Winterthur, Shoqëria Kulturore Artistike “Dardania” dëshmoi edhe një herë misionin e saj 32-vjeçar në promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër, duke u paraqitur me dy programe artistike që lanë mbresa të veçanta tek publiku dhe komunitetet e tjera pjesëmarrëse, e sidomos te zviceranët.
Çiftelia shqiptare zgjon interesimin e publikut ndërkombëtar!
Paraqitja e parë u zhvillua gjatë pasdites dhe iu kushtua instrumentit tradicional shqiptar – çiftelisë. Motrat Aurelia dhe Kleofina Balaj, përveç interpretimit artistik, i njohën të pranishmit me historikun, ndërtimin dhe mënyrën e interpretimit të këtij instrumenti që përdoret me shekuj te shqiptarët.
Në një prezantim mjaft interesant, Aurelia shpjegoi mënyrën se si mbahet dhe luhet çiftelia, si krijohen tingujt e saj karakteristikë dhe evolucionin që ka përjetuar ndër vite, duke arritur sot edhe në variante me gjysmënota që mundësojnë një gamë më të pasur melodike. Ky prezantim zgjoj kureshtje të madhe tek vizitorët e kombësive të ndryshme, si turke, zvicerane, bolivie, kurde, e shumë të tjera, të cilët për gati një orë u njohën nga afër me një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë muzikore shqiptare.
Një mbrëmje folklorike që elektrizoi sallën!
Në programin qendror të mbrëmjes morën pjesë grupe artistike nga shumë vende, ndër to:
- Grupi Gollubka nga Ukraina;
- Organizatat Tamile me grupet e fëmijëve;
- Shoqatat Kurde dhe Turke me valle dhe këngë tradicionale;
- Shoqatat greke me repertorin e tyre folklorik;
- Shoqëria Kulturore – Artistike “Dardania”, Shqipëri e Kosovë;
- Grupi Yulianna Khomenko nga Kuba;
- Ansambli folklorik nga Bolivia;
- Amazingh, me tupanë, për fund:
Pas paraqitjes së grupit grek, radha i takoi SH.K.A. “Dardania”, e cila u prezantua me një program artistik të kuruar me profesionalizëm.
Moderatorja Albulena Kqiku-Cakolli prezantoi historikun e shkurtër të shoqërisë dhe misionin e saj në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare, duke theksuar se ansambli përfaqëson me krenari traditat e shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, e deri te Çamëria në Greqi, Arbërshët e Italisë, dhe Malësinë e madhe në Mal të Zi, duke mos i harrua as Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
Një hyrje spektakolare!
Momenti që emocionoi publikun ishte hyrja skenike e grupit. Valltarët e grupmoshës së mesme hynë nga vetë publiku, të shoqëruar nga ritmet energjike të dy tupanëve, të interpretuar live nga anëtarët më të rinj të shoqërisë.
Kjo hyrje origjinale krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme dhe u shndërrua në një nga surprizat më të bukura të mbrëmjes.
Programi artistik vazhdoi me valle me motive nga Tropoja, për të vijua me valle me motive nga Shqipëria e mesme, e që e karakterizuan edhe veshjet e veçanta të secilës valle veç e veç, për të vazhduar me valle instrumentale, interpretime me çifteli nga motrat Aurelia dhe Kleofina Balaj, dhe Këngën “Jam një vajzë nga Kosova”, të interpretuar nga Lejla dhe Sara Grabovci;
Publiku i priti këto interpretime me duartrokitje të gjata dhe entuziazëm të veçantë, duke dëshmuar edhe një herë se folklori shqiptar mbetet një gjuhë universale e kulturës.
Kulmi i programit ishte vallja e përbashkët me publikun, ku shumë pjesëtarë të kombësive të ndryshme iu bashkuan hapave të valleve shqiptare, duke e kthyer skenën në një simbol të vërtetë të bashkëjetesës dhe respektit ndërkulturor.
Një sukses që mbështetet nga puna ekipore!
Gjatë gjithë aktivitetit, kryetari i shoqërisë Shefqet Cakolli edhe pse në moshë, ishte vazhdimisht në angazhim për koordinimin dhe mbarëvajtjen e programit, së bashku me ekipin artistik dhe organizativ: Arbnorja dhe Dhurata si asistente të koreografisë; Besiana, e cila u kujdes për dokumentimin fotografik, Klodiani, që ndihmoi në përgatitjen e kostumeve, Muhameti si koreograf i valleve burimore dhe Samiri si solist dhe ish-valltar i shoqërisë.
Në një kohë kur vlera e një ansambli matet jo nga numri i pjesëmarrjeve, por nga cilësia artistike, autenticiteti i kostumeve popullore dhe paraqitja profesionale skenike, SH.K.A. “Dardania” dëshmoi edhe një herë standardet e larta që e kanë karakterizuar përgjatë tri dekadave.
Edhe gastronomia do të jetë pjesë e prezantimit!
Në festival nuk munguan as stendat me ushqime tradicionale të popujve të ndryshëm. Frymëzuar nga kjo atmosferë, kryesia e SH.K.A. “Dardania” u zotua se në edicionin e ardhshëm do të marrë pjesë edhe me gastronominë tradicionale shqiptare, duke e pasuruar më tej prezantimin kulturor të komunitetit tonë.
Deri në fund në shërbim të festivalit!
Festivali përfundoi në orët e vona të natës, ndërsa kryetari i shoqërisë ishte ndër personat e fundit që u largua nga ambientet e manifestimit, duke qenë pjesë edhe e stafit organizativ dhe duke kontribuar në mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të festivalit, punë që vazhdoi edhe gjatë ditës së sotme.
Me këtë paraqitje, SH.K.A. “Dardania” konfirmoi edhe një herë rolin e saj si një ambasadore e denjë e kulturës shqiptare në Zvicër, duke dëshmuar se tradita, arti dhe identiteti kombëtar vazhdojnë të bashkojnë njerëz dhe kultura përtej kufijve.
Winterthur. 08.06.2026
Shefqet Cakolli
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Çështja çame, një plagë e pambyllur që rrezikon të harrohet Një pasdite debati me temën “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog” u zhvillua... -
Nga Gjeneva, diaspora shqiptare ngre zërin: “Shqipëria nuk është në shitje” -
Sot, LUGINA’S DAY 2026: Ngjarja që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër -
Florim Kadriu: “SVP po i kthen në frikë shqetësimet reale të qytetarëve” -
Përfundon votimi në përfaqësitë diplomatike, votuan 80.85% e të regjistruarve
Jeta në Zvicër
-
Kantoni zviceran ndan 1.25 milionë CHF për hetimin e rastit në Crans-Montana Këshilli i Madh në kantonin zviceran të Valais do të ndajë 1.255 milionë CHF për Zyrën... -
Ticino mbushi hotelet dimrin e kaluar -
Kantoni i Vaud do të mobilizojë 2200 persona gjatë G7 -
Energjia bërthamore po fiton përsëri popullaritet përballë frikës së mungesës së energjisë elektrike -
Ngarkesa e punës së mjekëve zviceranë lehtësohet, por ende shkakton shqetësim

















