Kosova

Kryetari i PDK-së: Më së shumti vota humbëm në Skenderaj, Drenas, Prizren dhe Ferizaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një deklarim sot për media, ka thënë se në bazë të rezultateve që kanë marrë nga këto zgjedhje kanë pasur pritshmëri për më tepër përqindje e vota, por që rezultati ishte ky.

Sipas tij, PDK-ja e ka ruajtur stabilitetin e votës, por se pati humbje në disa prej komunave ku pikërisht PDK-ja udhëheq.

“Del se në katër komuna ka qenë humbja më e madhe dhe për më keq në këto katër komuna PDK-ja qeverisë në nivel lokal. Vota më së shumti kemi humbur në Skenderaj, Drenas, Prizren dhe në Ferizaj. Pra këto janë katër komunat që është humbja më e madhe e votës për PDK-në. Po bëjmë gjitha analizat e nevojshme, as s’fshehna pas përgjegjësisë as nuk nxitohna në vendime e as nuk vonona në vendime. Do të kemi analiza e do t’i paraqesim se pse PDK-ja nuk ka arritur të mobilizojë votën. PDK-ja sa i përket numri dhe përfaqësimit e ka rujt qëndrueshmërinë dhe stabilitetin”, u shpreh ai, transmeton albinfo.ch.

Kurse sa i përket votave në komunën e Malishevës, ku thuhej se ato i rriti Fatmir Limaj, Hamza tha se s’është ndonjë fitore e madhe.

“Është mirë se është fitore, mirëpo edhe aty nuk është se është ndonjë fitore me numër të madh të votave, është pak më shumë se sa që kemi pasur vota në dhjetor”, shtoi ai.