Lajme

Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit

Aktorja kosovare shënon një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u bërë përfaqësuesja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në listën më të re të anëtarëve të European Film Academy.

Aktorja kosovare Fatlume Bunjaku ka arritur një sukses të rëndësishëm në karrierën e saj artistike, duke u bërë zyrtarisht anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy), transmeton albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktorja përmes një postimi publik, ku ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen për këtë arritje të veçantë.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit si anëtare e re. Me mirënjohje ndaj presidentes Juliette Binoche dhe Akademisë Evropiane të Filmit për ftesën dhe pritjen e ngrohtë. Faleminderit!”, ka shkruar Bunjaku.

Anëtarësimi në European Film Academy konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për profesionistët e industrisë së filmit, duke bashkuar në një rrjet prestigjioz artistë, regjisorë, producentë dhe krijues të njohur nga e gjithë Evropa.

Ky sukses ka një peshë të veçantë edhe për faktin se Fatlume Bunjaku është përfaqësuesja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në listën më të re të anëtarëve të Akademisë, duke përfaqësuar denjësisht kinematografinë dhe kulturën shqiptare në arenën evropiane.

Me këtë arritje, Bunjaku vazhdon të forcojë praninë e saj në skenën ndërkombëtare të filmit, duke u bërë një shembull frymëzimi për artistët e rinj nga Kosova dhe më gjerë./Albinfo.ch