Kosova

Ambasada në Bernë, koncert për Ditën e Çlirimit të Kosovës

Të pranishëm ishin edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadorë të akredituar në Bernë

Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive në Bernë, nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, më 12 qershor u shënua Dita e Çlirimit të Kosovës.

Koncerti “Kultura Muzikore e Kosovës – Tradita dhe Zhvillimi”, i realizuar nga ansambli Neo Dardanus, solli në skenë një program të pasur artistik, njofton ambasada. Në këtë koncert mori pjesë një grup artistësh të udhëhequr nga mjeshtri Valton Beqiri, me pjesëtarë të Filharmonisë së Kosovës dhe të Ansamblit “Shota”, si dhe sopranoja e mrekullueshme Zana Abazi Ramadani.

Aktiviteti mblodhi ambasadorë dhe diplomatë të akredituar, përfaqësues institucionesh, qytetarë zviceranë, si dhe shumë bashkatdhetarë nga diaspora jonë. Të pranishëm ishin edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, ndërsa aktiviteti u zhvillua nën përkujdesjen e Ambasadorit Mentor Latifi dhe me kontributin e çmuar të z. Werner Schmitt.

Nëpërmjet tingujve të muzikës dhe interpretimit artistik, sollëm në Bern një pjesë të shpirtit dhe traditës sonë, duke promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe vlerat që na mbajnë të lidhur me njëri-tjetrin, pavarësisht vendit ku jetojmë.

Kjo mbrëmje përkujtimore ishte një dëshmi se liria, mirënjohja dhe krenaria për rrugëtimin e vendit tonë mbeten burim frymëzimi dhe përgjegjësie për brezat që vijnë, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Kosovës në Zvicër.