Kosova

Arrestohen 5 persona për krime lufte në Kosovë

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër - kontrolle në disa lokacione, derisa nuk ka dhënë detaje tjera lidhur me personat e arrestuar dhe as lokacionin e bastisjeve

Operacioni policor, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke i zhvilluar në rastin e njohur si “Reçaku II”, së bashku me Policinë e Kosovës, ka rezultuar me pesë persona të arrestuar.

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër – kontrolle në disa lokacione, derisa nuk ka dhënë detaje tjera lidhur me personat e arrestuar dhe as lokacionin e bastisjeve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të mbajnë një konferencë për media sot në orën 13:00, gjatë së cilës do të ofrohen informacione shtesë lidhur me këtë operacion”, ka bërë të ditur policia përmes një njoftimi për media, transmeton albinfo.ch.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.