Futboll

UEFA gjobit Ballkanin e Suharekës me 200 mijë euro dhe i vendos përjashtim me kusht

UEFA ka marrë masa të ashpra ndaj klubit të Ballkanit, duke e dënuar me një gjobë prej 200 mijë eurosh për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve financiare.

Sipas Trupit të Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), skuadra nga Suhareka renditet ndër klubet me gjobën më të lartë, së bashku me CFR Cluj nga Rumania, e cila gjithashtu është dënuar me të njëjtën shumë.

Përveç Ballkanit, UEFA ka shqiptuar gjoba edhe për disa klube të tjera evropiane, përfshirë Budućnost Podgorica (95 mijë euro), Ordabasi (75 mijë euro), Sarajevo (20 mijë euro) dhe Athletic Bilbao (10 mijë euro).

Situata për klubin kosovar rëndohet edhe më tej, pasi përveç gjobës financiare, ai është vendosur nën një përjashtim me kusht nga garat evropiane. Masa pezulluese do të jetë në fuqi për dy sezone dhe mund të aktivizohet në rast të përsëritjes së shkeljeve, veçanërisht nëse ka vonesa në pagesa mbi 90 ditë gjatë sezoneve 2026/27 dhe 2027/28.