Lajme

Valë e të nxehtit po afrohet drejt Zvicrës, temperaturat mund të arrijnë deri në 38°C

Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu se temperaturat do të mbeten mbi mesataren sezonale edhe pas fundjavës

Zvicra po përgatitet për një nga periudhat më të nxehta të vitit, me meteorologët që paralajmërojnë një valë të fortë të nxehti duke filluar nga mesi i kësaj jave.

Temperaturat pritet të kalojnë 30°C në shumicën e rajoneve, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në 38°C, duke rrezikuar thyerjen e rekordeve historike për muajin qershor.

Sipas MeteoSwiss, periudha e nxehtësisë do të zgjasë të paktën disa ditë.

Kushtet për një valë zyrtare të nxehti plotësohen jo vetëm nga temperaturat e larta gjatë ditës, por edhe nga netët tropikale, kur temperaturat nuk zbresin nën 20°C, shkruan 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Kulmi i temperaturave pritet gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme. Disa modele meteorologjike parashikojnë deri në 38°C në rajonin e Bazelit, çka do të tejkalonte rekordin aktual të qershorit prej 36.9°C, të regjistruar në vitin 1947.

Ekspertët rekomandojnë që qytetarët të shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe t’u kushtojnë vëmendje të veçantë të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore.

Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu se temperaturat do të mbeten mbi mesataren sezonale edhe pas fundjavës, duke treguar se vala e nxehtësisë mund të zgjasë më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht.