Lajme

Dy tërmete të fuqishme godasin Venezuelën, frikë për mijëra viktima

Dridhjet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 shkaktuan shembje ndërtesash në Karakas, ndërsa autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në vend.

Venezuela është goditur nga dy tërmete të fuqishme të mërkurën pasdite, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe frikë për një numër të lartë viktimash, përcjell albinfo.ch.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), fillimisht një tërmet me magnitudë 7.2 goditi rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit, ndërsa më pak se një minutë më vonë u regjistrua një tjetër dridhje me magnitudë 7.5.

Në kryeqytetin Karakas, disa ndërtesa janë shembur, duke lënë njerëz të bllokuar nën rrënoja. Deri më tani, raportohet se të paktën tre persona kanë humbur jetën në lagjen Baruta pas shembjes së dy objekteve.

USGS ka paralajmëruar se pasojat mund të jenë katastrofike, duke vlerësuar se numri i viktimave mund të jetë shumë i lartë dhe dëmet të përhapen në zona të gjera të vendit.

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka njoftuar se do të kërkojë mbështetje financiare nga organizatat ndërkombëtare për përballimin e situatës.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Venezuelën pas katastrofës natyrore.

Shumë banorë ndodheshin në shtëpitë e tyre kur goditën tërmetet, duke shkaktuar panik dhe evakuime masive në Karakas dhe zona të tjera të prekura./Albinfo.ch