Lajme

Magazina albinfo.ch vjen me numrin special, Vera `26

Në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch janë pushimet verore të diasporës, me kryedestinacionin e tyre, Kosovën dhe trojet tjera shqiptare

Vera e pushimeve tashmë ka ardhur dhe pothuajse të gjithë kanë një preokupim: Ku t`i kalojnë pushimet verore. Këtë “problem”, shumica dërmuese e shqiptarëve në Zvicër e kanë tashmë të zgjidhur. Ata njohin një destinacion parësor: Atdheun, dmth. Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën…, atje ku ndihen në shtëpinë e tyre dhe jo turistë. Vetëm pasi ta kenë kryer këtë “detyrim” vijnë destinacionet turistike, anembanë botës.

Në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch janë pikërisht pushimet verore, me kryedestinacionin e tyre, Kosovën dhe trojet tjera shqiptare. Një numër artikujsh të realizuar në këtë dosje të numrit special trajtojnë ofertat specifike verore të disa qyteteve të Kosovës për mërgatën që vjen me numër të madh në këtë sezon.

Në këtë kuadër kemi edhe intervistën me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku mund të njiheni me atë që kryeqendra e Kosovës ofron për mërgimtarët dhe gjithë qytetarët tjerë. Veç tjerash janë disa nga festivalet e mëdha që kanë për seli Prishtinën, ato që e bëjnë kryeqytetin të marrë frymë si një metropol i vërtetë.

Por nuk është vetëm Kosova: Oferta e bregdetit shqiptar dhe atij të Ulqinit është po ashtu në “radarin” e revistës sonë. Kryetari i Ulqinit, Genc Nimanbegu shpalos për lexuesit tanë shumë fakte për të cilat shqiptarët e diasporës duhet të përcaktohen për qytetin e tij dhe të tyre. Në radhë vijnë prezantimet e qyteteve dhe vendeve tjera turistike të bregdetit të Shqipërisë me perlat që ofrojnë ato.

Numri më i ri i revistës Albinfo.ch. krahas dosjes speciale për Verën `26, sjell edhe shumë artikuj të tjerë nga jeta shoqërore, kulturore, sportive, kryesisht e diasporës së Zvicrës. Rubrikat e përhershme si: Ex Libris, Kinema, Fjalëkryqi, Horoskopi etj. përplotësojnë mozaikun e magazinës të vetme që  mund të lexojnë shqiptarët e diasporës, sidomos saj në Zvicër, në gjuhën e tyre.