Kosova

Kurti fton në takim Hamzën, Abdixhikun dhe Gjinin

Lideri i LVV-së u ka dërguar ftesë krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në ditën kur nisi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në një takim liderët e tri partive opozitare, Bedri Hamzën (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ardian Gjinin (AAK), për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, i cili bëri të ditur se ftesat janë dërguar gjatë mëngjesit.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka deklaruar Manxhuka.

Ftesa vjen në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës, deputetët e rinj kanë afat deri më 7 gusht për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa AAK-ja 7 mandate.

Për zgjedhjen e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend, ndërsa për zgjedhjen e presidentit ose presidentes kërkohen 80 vota, çka nënkupton nevojën për bashkëpunim edhe me partitë opozitare.

Sipas dispozitave kushtetuese, presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit./Albinfo.ch