Botërori 2026

Edhe Yakin ankohet në referim

“Jemi dënuar për shkak të një rregulli që është i papranueshëm. Nuk e kuptoj këtë. Fakti që intervenuan nga VAR-i pa nevojë, është jashtëzakonisht i dhimbshëm. Është rregull që nuk ka të bëjë asgjë me futbollin. E shkatërroi lojën tonë sot”, deklaroi Murat Yakin

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, thotë se Breel Embolo nuk është dashur të përjashtohet në ndeshjen ndaj Argjentinës.

“Përfundimisht nuk kishte arsye për karton të verdhë. Ishte situatë e parëndësishme. Gjyqtari është dashur të lejojë që loja të vazhdonte. Jemi dënuar për shkak të një rregulli që është i papranueshëm. Nuk e kuptoj këtë. Fakti që intervenuan nga VAR-i pa nevojë, është jashtëzakonisht i dhimbshëm. Është rregull që nuk ka të bëjë asgjë me futbollin. E shkatërroi lojën tonë sot. Duhet ta pranojmë, por është e dhimbshme të humbësh në këtë mënyrë. Është e dhimbshme që jemi eliminuar në këtë mënyrë. Nuk mendoj se e kemi merituar këtë. Për mendimin tim djemtë janë heronj të vërtetë”, ka thënë Murat Yakin pas ndeshjes.

Largimi i Embolos në minutën e 72-të, hapi rrugën për fitoren 3:1 të Argjentinës. Zvicra kishte barazuar kur Embolo u përjashtua dhe ishte në moment shumë të mirë.

Ai ka ngulur këmbë se arbitri mori vendim të gabuar.

Yakini ka thënë se Embolo ishte i shkatërruar. “Ai ishte fauluar shumë herë dhe ka pasur disa momente vërtetë të mira në këtë ndeshje. Por nuk ka mundur të ndihmojë ekipin më. Nuk e fajësoj. Ishte gabim në referim”.

Mesfushori Remo Freuler ka theksuar se nuk e kupton se si VAR-i mund të marr një vendim të tillë dhe se FIFA duhet ta shpjegojë atë.