Lajme
Vala e të nxehtit mund të rrisë çmimet e ushqimeve në Zvicër
Thatësira dhe mungesa e ujit po dëmtojnë prodhimet bujqësore, ndërsa supermarketet paralajmërojnë se konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta
Vala e fuqishme e të nxehtit dhe thatësira që kanë përfshirë Zvicrën gjatë javëve të fundit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e ushqimeve, veçanërisht të perimeve të kultivuara në fusha të hapura.
Temperaturat kanë arritur deri në 39 gradë Celsius në Bazel dhe mbi 35 gradë në disa rajone të tjera të vendit, duke prekur jo vetëm shëndetin e popullsisë dhe infrastrukturën, por edhe sektorin e bujqësisë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Kulturat bujqësore kanë nevojë për ujitje të rregullt gjatë verës, por furnizimi me ujë po bëhet gjithnjë e më i kufizuar në disa zona. Për shkak të mungesës së reshjeve, autoritetet lokale kanë nisur kufizimin dhe racionalizimin e përdorimit të ujit, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për fermerët.
Sipas përfaqësuesve të rrjetit të supermarketeve Coop, vështirësitë në fusha mund të reflektohen edhe në portofolin e konsumatorëve. Ndër produktet më të rrezikuara janë patatet, sallata e gjelbër, lulelakra, brokoli dhe finoku, të cilat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta.
Edhe Migros e ka cilësuar situatën si të tensionuar, duke paralajmëruar se pasojat e valës së të nxehtit mund të sjellin rritje të çmimeve gjatë javëve të ardhshme. Megjithatë, niveli i saktë i dëmeve dhe ndikimi në korrje nuk mund të përcaktohen plotësisht para muajve gusht ose shtator.
Një zhvillim pozitiv është se sëmundjet kërpudhore dhe dëmtuesit e tjerë të kulturave kanë mbetur deri tani relativisht të kufizuar, çka mund të zvogëlojë një pjesë të humbjeve.
Coop dhe Migros kanë përgatitur plane alternative në rast se prodhimi vendor nuk arrin t’i plotësojë nevojat e tregut. Të dyja kompanitë favorizojnë produktet vendore, por mund të detyrohen të rrisin importet nëse kushtet e motit nuk përmirësohen.
Megjithatë, pasi vala e të nxehtit dhe thatësira po prekin edhe shumë vende të tjera evropiane, importet mund të duhet të sigurohen nga tregje më të largëta. Kjo do të sillte kosto më të larta transporti dhe mund të ushtronte presion shtesë mbi çmimet që paguajnë konsumatorët në Zvicër.
E-Diaspora
-
“Shqipëria e Vogël” përfshihet zyrtarisht në hartën zyrtare të New York-ut Një moment historik është shënuar sot për Komunitetin Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi... -
Shkencëtari shqiptar Ardian Jusufi nominohet për çmimin prestigjioz “Falling Walls Science Breakthroughs 2026” -
Nga Sunny Hill te Gollaku, Përparim Rama prezanton ofertën verore të Prishtinës për diasporën -
Artistja shqiptare nga Vjena hap ekspozitë në Tiranë -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë
Jeta në Zvicër
-
Qiratë në rritje në të gjithë Zvicrën Qiratë vazhduan të rriten në qershor në të gjithë Zvicrën, sipas platformës së pronave Homegate. Nga... -
Numër rekord i bankierëve zviceranë të papunë -
Turizmi nuk ka pësuar nga zjarri fatal në Crans-Montana -
Çfarë të drejtash kanë pasagjerët që udhëtojnë me kompanitë ajrore zvicerane? -
Vala e të nxehtit mbush pishinat në Zvicër, mbi 15 milionë vizita këtë verë













