Lajme

Vala e të nxehtit mbush pishinat në Zvicër, mbi 15 milionë vizita këtë verë

Deri tani janë regjistruar mbi 15 milionë hyrje në pishinat publike në mbarë vendin, ndërsa shumë prej tyre raportojnë fluks rekord vizitorësh

Temperaturat e larta kanë sjellë një sezon rekord për pishinat zvicerane, me disa prej tyre që po regjistrojnë numrin më të madh të vizitorëve në histori, transmeton albinfo.ch.

Vera e nxehtë e këtij viti po rezulton një bekim për pishinat në Zvicër. Deri tani janë regjistruar mbi 15 milionë hyrje në pishinat publike në mbarë vendin, ndërsa shumë prej tyre raportojnë fluks rekord vizitorësh.

Menaxherët e pishinave thonë se ditët me temperatura mbi 30 gradë kanë sjellë mijëra vizitorë çdo ditë. Në disa qytete, fundjavat kanë qenë aq të ngarkuara sa kapacitetet janë arritur brenda pak orësh nga hapja, transmeton albinfo.ch.

Për shkak të interesimit të madh, disa pishina kanë shtuar personelin, kanë zgjatur orarin e punës dhe kanë përforcuar masat e sigurisë për të përballuar numrin e lartë të vizitorëve.

Edhe pse temperaturat e larta kanë sjellë sfida për autoritetet shëndetësore dhe kanë rritur rrezikun nga zjarret në pyje, operatorët e pishinave e cilësojnë këtë si një nga sezonet më të suksesshme të viteve të fundit. Fluksi i madh ka ndikuar pozitivisht edhe në të ardhurat e restoranteve dhe shërbimeve brenda komplekseve të notit.

Meteorologët parashikojnë që moti i nxehtë të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, çka do të thotë se numri i vizitorëve në pishinat zvicerane pritet të rritet edhe më tej.