Lajme

Pacientët e moshuar trajtohen në temperatura deri në 30 gradë në spitalin më të madh të Zvicrës

Sindikata e punonjësve shëndetësorë paralajmëron se kushtet e rënda nga nxehtësia po rrezikojnë si stafin, ashtu edhe sigurinë e pacientëve

Pacientët e moshuar dhe personat e cenueshëm në disa prej ndërtesave më të vjetra të Spitaleve Universitare të Gjenevës po trajtohen në dhoma ku temperaturat e brendshme arrijnë deri në 30 gradë Celsius, transmeton albinfo.ch.

Në këto ndërtesa nuk ka sistem të klimatizimit, ndërsa ventilimi konsiderohet i pamjaftueshëm, duke krijuar kushte të rënda për pacientët dhe personelin mjekësor gjatë ditëve me temperatura të larta.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të ofrojnë kujdes mjekësor në ambiente të mbinxehura, pavarësisht lodhjes fizike dhe vështirësive në kryerjen e detyrave të tyre.

Sindikata e punonjësve të sektorit të shëndetësisë ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar se personeli po rraskapitet nga nxehtësia dhe se një gjendje e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e pacientëve.

Situata është veçanërisht shqetësuese në Spitalin Trois-Chêne, i cili është i specializuar në kujdesin akut dhe rehabilitimin e pacientëve të moshuar, kryesisht të personave mbi 75 vjeç.

Për të kundërshtuar kushtet e punës dhe mungesën e masave të përshtatshme kundër temperaturave të larta, për të hënën është paralajmëruar një tubim protestues para Spitalit Trois-Chêne.

Çështja ka marrë vëmendje të shtuar edhe për shkak të rrezikut që temperaturat ekstreme paraqesin për të moshuarit. Gjatë valës së fundit të të nxehtit në Zvicër është regjistruar rritje e vdekshmërisë te personat mbi 65 vjeç, duke shtuar shqetësimet për kushtet në institucionet ku trajtohen pacientët më të cenueshëm.