Kosova

Ambasadori zviceran Jürg Sprecher falënderon Kurtin për pritjen lamtumirëse

Diplomati zviceran thekson marrëdhëniet e shkëlqyera mes Zvicrës dhe Kosovës, partneritetin afatgjatë dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Zvicër.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, ka falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për pritjen lamtumirëse të organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik, transmeton albinfo.ch.

Përmes një njoftimi, Ambasada e Zvicrës bëri të ditur se ambasadori Sprecher zhvilloi një vizitë lamtumirëse te kryeministri në detyrë, gjatë së cilës u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Sipas ambasadës, në takim u vlerësua partneriteti i kahershëm mes dy vendeve, mbështetja e vazhdueshme e Zvicrës për zhvillimin e Kosovës, si dhe kontributi i rëndësishëm që diaspora kosovare në Zvicër jep në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve.

“Ambasadori zviceran Jürg Sprecher zhvilloi një vizitë lamtumirëse te kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Diskutimi rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, duke theksuar partneritetin tonë afatgjatë, mbështetjen e Zvicrës për zhvillimin e Kosovës dhe kontributin e rëndësishëm të diasporës së Kosovës në Zvicër”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Zvicrës.

Vizita shënon përmbylljen e mandatit diplomatik të ambasadorit Sprecher në Kosovë, pas viteve të angazhimit në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./Albinfo.ch